Picture 001Nga ky libër (“Edukata Qytetare 4”), nxënësit me siguri që kanë mësuar se ambienti duhet të mbahet i pastër. Por, pikërisht ky libër, ka përfunduar prapa shkollës fillore të Smirës duke degraduar atë pjesë me gjelbërim. Një dyzinë thasë me bërllog, kryesisht ambalazhë e ushqimeve e pijeve, por edhe mbeturina tjera, janë hequr të dielën nga oborri i kësaj shkolle, në një aksion vullnetar që u ndërmorr nga qytetarë të Smirës dhe adhurures të mjedisit.

Nisma ishte e kryetarit të fshatit Afrim Salihu, në bashkëpunim me disa aktivistë. “E pam të arsyeshmne që në këtë mot të mirë, të dalim dhe të pastrojmë mjedisin, sepse ka pasur nevojë. Sot e pastruam vetëm oborrin e shkollës, sepse nuk mbërritëm më shumë. Ishim nja 30 njerëz, por jo majftueshëm sa për të vazhduar edhe në pjesë tjera të fshatit. Është mirë që herave tjera të dalim më shumë, sepse mjedisi është I të gjithëve, atë e kemi të përbashkët”, ka thënë Salihu.

Drejtori i ri i Shkollës së mesme të ulët “Dëshmorët e 5 Prillit”, Xhavit Sahiti, i cili vet ishte pjesë e aksionit, u shpreh i përkushtuar për ambientin e pastër në shkollë. “Do t`i kushtoj rëndësi të veçantë pastërtisë si brenda edhe jashtë shkollës. Përveç që do të monitorojmë gjendjen, do të shqyrtojmë mundësinë e organizimit të aksioneve të rregullta nga nxënësit për ta pastruar oborrin. Natyrisht në këtë hapësirë ka nevojë edhe për investime tjera për të cilat do të interesohemi t`i sigurojmë qoftë nga donatorët, apo nga komuna”, ka thënë drejtori Sahiti.

Dallimi ka qenë i dukshëm dhe oborri i shkollës ka marrë pamje krejtësisht tjetër. Me këtë rast, aksionistët u bën thirrje nxënësve, arsimtarëve, prindërve dhe udhëheqisë së shkollës që të kujdesen më shumë në të ardhmen, në mënyrë që të kemi një mjedis më të denjë shkollor.

Aksionistët smiras i vizitoi shkurtazi edhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi, pasi ishte në Viti dhe kishte dëgjuar për aksionin. “Kjo që po bëni është për t`u përshëndetur, sidomos kur dihet se jeni organizuar vullnetarisht, në të mirë të komunitetit. Kjo tregon një vetëdije të lartë qytetare, sepse duket se aktivizmi qytetar dhe kontributi vullnetar nuk janë në nivelin e mëhershëm. Ne e dimë që popullata jonë ka mundur të organziohet edhe në ditë më të vështira dhe ka mbajtur gjallë jetën politike, shëndetësore, arsimore e kulturore në vitet `90”, ka thënë Gashi.

Përveç kësaj, poashtu falë kontributeve vullnetare, janë vendosur gjysma e dërrasave për t`u ulur në tribinat e terrenit të futbollit. Tjerat do të montohen në ditët në vijim.

U vendos që aksioni për pastrimin e mjedisit në Smirë të vazhdojë edhe të dielën e ardhshme, më 2 mars nga ora 10:00. Takimi u caktua te Përmendorja kushtuar dëshmorëve të vitit 1912, në hyrje të rrugës kryesore të fshatit.

Leave A Reply