Izjadin AvdyliIzjadin Avdyli, është i fundit, që ju ka bashukar mbi 30 taksistëve të Smirës së Vitisë. Ky numër i e bënë këtë fshat të veçantë, pasi as në metropolet e njohura të botës, nuk mund të merret me mend të ketë më shumë taksi për kokë banori. Gjendja sociale si dhe karakteristikat tjera që lidhen me pozitën gjeografike të Smirës, kanë bërë që çdo i 140 qytetar i Smirës, ta zgjedhë profesionin e taksistit.

“Me vite kam kryer profesionin e mjeshtrit të ndërtimtarisë, por pasi ka ra shumë puna në këtë profesion, kam vendosë që të filloi punën si taksist”, shprehet Izjadin Avdyli.

Ai thekson se kur e nisi punën e taksistit ishte i vetëdijshëm për numrin e madh të bashkëvendëseve të tij që e ushtrojnë këtë profesion dhe për konkurrencën që e pret, por pasi nuk kishte zgjidhje tjetër, i është dashtë të marrë timonin në dorë, për të siguruar të ardhura për familjen.

“Pothuaj gjithë taksistët që vijmë nga Smira, kemi të njëjtën linjë në të cilën operojmë dhe është vështirë që të përballohet konkurrenca, por me gjithë këto vështirësi sigurojmë sadopak të ardhura për nevojat e familjeve tona”, ka thënë Izjadini. Ai ka theksuar se me të ardhurat që siguron në këtë profesion mbanë familjen gjashtë anëtarëshe, prej të cilëve një student.

Edhe Musli Ahmeti, njëri nga taksistët më të vjetër të Smirës, shprehet se këtë profesion e ushtron nga nevoja për të siguruar të ardhura për mbajtjen e familjes, pasi sipas tij në këto kohë krize është vështirë të gjendet një vend tjetër pune. “Për 24 vite kam punuar si vozitës i autobusit, dhe kur kompania në të cilën kam punuar është shuar, jam detyruar që të ushtrojë këtë profesion”, thekson Musliu.

Ai thotë se në fillim në fshatin Smirë, kishte shumë pak prej atyre  që ushtronin profesionin e taksistit, por me kalimin e kohës, në pamundësi për të gjetur ndonjë vend pune në ndonjë profesion tjetër, numri i taksistëve në këtë lokalitet është shtuar dhe tani kalon mbi 30. “Smira është një lokalitet që ka shumë pak tokë pjellore dhe banorët e këtij fshati nuk mund të merren shumë me bujqësi apo blegtori, prandaj ata po zgjedhin profesionin e taksistit për të mbijetuar”, shprehet Musliu.

Por inspektori i trafikut në Viti, Bushat Zuka, që edhe vet para lufte e kishte ushtruar profesionin e taksistit në Smirë, numrin e madh të taksistëve në këtë lokalitet e arsyeton me karakteristikat tjera që ka ky lokalitet. “Smira është ndër lokalitet më të mëdha për sa i përket numrit të banorëve në Komunën e Vitisë dhe pozita e saj gjeografike është e tillë që është si një “zorrë qorre” për komunën , prandaj mundësia për të përfituar si taksistët është më e madhe se në vendbanimet tjera të kësaj komune”, ka thënë Zuka.

Ai thekson se kompania e transportit të udhëtarëve, para lufte nga Smira në Viti dhe anasjelltas ka pas 26 nisje, kurse sot kompania që merret me transportin e udhëtarëve nga ky lokalitet ka vetëm 3 nisje dhe kjo u mundëson taksistëve nga ky lokalitet të operojnë pa ndonjë problem.

“Vendimi i komunës që bizneset t`i lirojë nga taksat komunale dhe lehtësirat tjera që kanë ofruar institucionet komunale për regjistrimin e taksistëve, si dhe çmimi i biletës së udhëtarëve joshës për ata që merren me transport të udhëtarëve , janë faktorë tjerë që kanë ndikuar në numrin e madh të qytetarëve të Smirës për tu marr me profesionin e taksistit”, ka thënë Zuka.

Ai thekson se nga108 taksistë të regjistruar në komunën e Vitisë rreth 25 përqind e tyre janë nga  Smira dhe ky është një sektor ku ka numër më të madh të të punësuarve,  prandaj me të drejtë e bëjnë këtë lokalitet vend të taksistëve.

Leave A Reply