
Rekordmeni i njohur kosovar në zhonglim, nga Smira, Agim Agushi, synon suksese të reja në disiplinën e tij të preferuar-zhonglim duke goditur topin me kokë. Ai në emisionin “Arena Sportive”, në RTK, paralajmëroi se vitin që vjen do të kërkojë të vendosë edhe disa rekorde të reja botërore-dy prej tyre të Ginisit. Paraprakisht, më 28 dhjetor të këtij viti, do të provojë të shënojë një rekord që nuk ka qenë i njohur më parë-goditje e topit me kokë duke lëvizur prapa. Agimi tha se kjo ngjarje do të ndodhë në Gjakovë, apo Gjilan, varësisht se cili qytet do të jetë më i interesuar për këtë. “Më parë kam shënuar rekord duke goditur topin me kokë në lëvizje para, por tash dua ta provojë edhe duke lëvizur prapa. Poashtu, në janar të vitit 2014, në Turqi do të provojë të thyej rekordin ë vrapim në 100 metra dhe 200 metra dhe vrapimi në 1000 metra duke zhongluar me top. Mirëpo, përveç kësaj, jam përgatitur edhe për dy rekorde tjera të Ginisit: Goditje e topit në qift me nipin tim Bujar Ajetin. Aktualisht e kemi këtë rekord me 3 orë e 55 minuta dhe 11 111 goditje, por kërkojmë që ta thejmë rekordin e Ginisit në këtë disiplinë të cilin e mban një qift nga Suedia.
Këtë record do ta organizojë në mars pse prill të vitit të ardhshëm në Kosovë. Gjithashtu synoj ta vendos edhe një record tjetër –Goditje e topit me kokë duke vozitur vet veturën kabriolet, që nuk e ka bërë askush në botë deri tani. Kjo pritet të ndodhë në Prishtinë, në muajin prill të vitit 2014”, ka thënë Agimi në RTK.
Agimi ka thënë se do të sfidojë edhe ndërtesën më të lartë në botë, në Dubai. “Do të provojë të ngjitem lart dhe të zbres poshtë shkallëve duke goditur topin me kokë”, ka thënë ai.
Mirëpo, për të arritur këto rekorde, Agimi ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Sportit apo të sponsorëve, pasi që për këtë duhen edhe mjete financiare, sepse vetëm për të sjellë arbitrin nga Londra duhen diku 7500 euro, pa përfshirë këtu akomodimin e shpenzimet tjera.
Agimi Agushi tashmë është pronar i disa rekordeve botërore në zhonglim të topit me kokë.