alt

Në prani të qindra smirasve  dhe mysafirëve tjerë,  në Viti, sot u promovua dokumentari “Kontributi i banorëve të Smirës ndër shekuj”, i  inicuar dhe sponsorizuar nga vëllezërit Ferizi, të bijtë e Xhevat Ferizit, të cilët qe 50 vite jetojnë në Kavajë të Shqipërisë.  Përfaqësuesi i familjes Ferizi, Shefqet Ferizi, tha në fjalën hyrëse se falë përpjekjeve shumëvjeçare të popullit të Kosovës dhe bashkëkombasve tanë, arkitektit të pavarësisë dr. Ibrahim Rugova  dhe luftës heroike të UÇK-së, u bë e mundur që të krijohet shteti i Kosovës dhe shumë shqiptarë të dëbuar të kthehen në trojet e tyre, ku bën pjesë edhe familja Ferizi nga fshati Smirë.

“Ky fshat sipas historianëve është banuar nga shqiptarë autoktonë. Detyra jonë është që ta afirmojmë këtë histori dhe të tregohet se ne jemi të hershëm në trojet tona, kur dihet se serbët kanë ardhur në Kosovë si pushtues dhe kolonë”, tha Shefqet Ferizi, i cili falënderoi profesorët dhe historianët që kanë punuar për të zbardhur vlerat historike të fshatit Smirë.

Profesori i Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Gazmend Rizaj, tha se Smira dhe popullata  e saj iliro-arbërore-shqiptare e ndau fatin hisotrik me pjesët tjera të trungut etnik, ashtu që popullata autoktone e kësaj ane gjatë mijëvjeçarit e deri në luftën e fundit në Kosovë, u dëshmua jo vetëm për vlera të shumta etnografike, por edhe për sakrificën dhe atdheatinë e saj në mbrojtje të identitetit kombëtar.

“Pikërisht nëpërmjet këtij dokumentari pasqyrohet historia mbi dymijë vjeçare e Smirës dhe popullatës së saj, ku nëpërmjet një vertikaleje historike spikaten ngajrjet me të rëndësishme dhe lufta e vazhdueshme e shqiptarëve të kësaj treve kundër armiqve të shumtë, në veçanti luftërat kundër hegjemonizmit bullgaromadh dhe serbomadh. Është rast shumë i rrallë që një vendbanim aq i vogël për nga hapësira dhe aq i vogël për nga numri i banorëve, të ishte present dhe i dalluar pothuaj në të gjitha momentet e rëndësishme të historisë dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, tha Prof. Rizaj. Sipas tij, dokumentari i bën një analizë të vëmendshme sidomos ngjarjeve hisotrike që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te lufta e UÇK-së, por pa e harruar edhe Lëvizjen Kaçake të viteve 1912-1941, Luftën Antifashiste si dhe luftën ilegale për çlirim nga okupimi serbo-jugosllav.

E, kryetari i fshatit, Afrim Salihu, duke falënderuar familjen Ferizi për këtë kontribut, tha se smirasit gjatë gjithë histories kanë qenë aktiv, të organziuar dhe të kyçur në lëvizjet kombëtare për çlirim, prandaj duke marrë si model këtë dokumentar, bëri thirrje që të shkruhet për të gjitha ngjarjet  dhe zhvillimet e të gjitha etapave, duke iu dhënë rëndësinë që kanë pasur.

 Dokumentari “Kontributi i banorëve të Smirës ndër shekuj” u realizua nga Televizioni Publik Shqiptar (TVSH) gjatë vitit 2013.

Leave A Reply