Jo vetëm fshati, por edhe malet ushtonin mbrëmë nga atmosfera e zjarrtë në Smirë. Kënga dhe vallja nuk u ndalën deri në orën 2:30 të mëngjesit. Veterani i muzikës shqipe, smirasi Vebi Azizi dhe miku i tij i vjetër, harmonikisti Fevzi Fejzullahu kanë organizuar një mbrëmje muzikore për bashkatdhetarët dhe bashkfshatarët e tyre. Dëshira e tyre u mbështet dhe u ndihmua nga Qendra Tregtare “Beni Impex”. Vebi Smira, siç është njohur gjithmonë nga adhuruesit e tij anekënd Kosovës , me të birin Armendin iu dhuruan të pranishmëve momente dhe emocione të paharruara.
Ky show ka filluar diku rreth orës 22 dhe atmosfera ka vazhduar të nxehet gjithnjë e më shumë. Njerëzit tanë i kishte marrë malli ta dëgjonin zërin e Vebiut, me të cilin u rritën bashkë. Vet pjesëmarrja e një numri kaq të madh të smirasve tregonte respektin për këtë këngëtar dhe njeri të veçantë. Madje kishte njerëz që kishin ardhur enkas nga fshatrat përreth, apo smiras që nuk jetojnë në Smirë për të parë idolin e tyre. “Ne qe 6 vite jetojmë në Ferizaj, por sonte kemi ardhur special bashkë me familje për këtë mbrëmje, për të parë Vebiun, sepse ia vlen. Dhe vërtetë u kënaqëm me të afërmit dhe bashkëfshatarët tanë”, thoshte Agim Hasani.
Ndonëse ishte një organizim spontan dhe i paparalajmëruar, njerëzit vazhdimisht i bashkoheshin festës. “Unë nuk e kam ditur që ka mbrëmje muzikore këtu. Kam qenë në Viti, por duke kaluar e pashë se ka atmosferë të mirë. Po ta kishin ditur njerëzit, sigurisht se kishin ardhur edhe më shumë. Unë kam qenë i vogël kur ka kënduar Vebi Azizi, por babi më ka folur për të dhe e ka përmendur shpesh. Jam i lumtur që arrita ta shoh duke kënduar”, thoshte Arif Zuka që kishte ardhur për pushime nga mërgimi.
Atmosferës i kontribuan edhe disa vallëtarë me surle e tupana dhe këngëtarja e re Sanije Rexhepi nga Begunca që jeton në Gjermani, përndryshe mbesë e Smirës. Për një kohë përcjelljen e këngëtarëve me sintizaizer (organo) e bëri smirasi Besnik Ukshini.
Vet kryetari i fshatit Afrim Salihu falënderoi personalisht dhe në emër të pranishmëve Vebi Azizin dhe të tjerët që ofruan këtë mbrëmje të veçantë me disponim të mirë.
Edhe Vebiu e Fejza ndiheshin mirë që pas shumë vitesh po paraqiteshin para bashkëfshatarëve të tyre.
Ata janë ndër të parët që i vunë themelet e jetës kulturo artistike në fshat. Kontributi, sidomos i Vebi Azizit, është i njohur për të gjithë. Ai për vite të tëra udhëhoqi me sukses Shoqërinë Kulturo Artistike të fshatit “Januz Ramadani”, duke u prezantuar denjësisht në shumë festivale e manifestime kulturore jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj.