Njëzetvjeçari nga shteti helvetik, thotë se e kanë ftuar shokët e tij Shkodran e Arbër Ibishi, me të cilët kalon shumë kohë bashkë. Ai në Gjenevë ka edhe shokë të tjerë shqiptar si: Leartin, Gentin, Labinotin etj.
Ai tregon se prindërit e tij e kanë mirëpritur ftesën për të ardhur për pushime në Smirë, sepse i kanë njohur mirë shokët e tij dhe nuk kanë pasur paragjykime ose dilema për këtë.
“Kjo është hera e parë që shkoj diku për pushime në familje të miqve. Me të vërtetë po më pëlqen këtu. Atmosfera është e mirë. Këtu njerëzit nuk janë shumë të stresuar, janë të qetë dhe mikpritës. Po ashtu edhe pozita e fshatit po më pëlqen-është si i tërhequr rrëzë maleve. Këtu është qetë dhe nuk ka zhurmë sikur në vendbanimet skaj rrugëve. Edhe atje ku jetojmë në Versoix në Gjenevë është më qetë se në pjesët tjera të qytetit”, thotë Jonas.
Zviceranit të ri, në Kosovë i pëlqen edhe ushqimi. Ai preferon më tepër piten dhe pasulin. Kurse me shokët e tij nga Smira, Arbërin, Shkodranin e Leartin ka vizituar edhe disa qytete tjera në Kosovë. Më së shumti i pëlqen Prishtina dhe Ferizaji. Jonas Soulié thotë se po kënaqet në Smirë dhe do të vijë sërish kur t`i jepet rasti.