Veterarani i luftës së UÇK-së, Bislim Bislimaj, nga Drobeshi, po punonte të premten, në Viti, bashkë me ekipin në ndërtimin e shtëpisë dedikuar familjes së dëshmorit të kombit, Skender Salihu nga Smira. Aksioni ka nisur nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, me insistimin e dajallarëve të fëmijëve të dëshmorit. Nisma është mbështetur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila është duke i paguar mjeshtrit.

Pas sensibilizimit të vullnetmirëve, aksioni po ndihmohet në forma të ndryshme, qoftë me punë vullnetare, apo me material të nevojshëm ndërtimor.

“Kështu, Sali Abdullahu nga Debelldehu, Prof. Dr. Sali Salihu nga Vitia dhe Xhelal Haxhiu nga Kabashi kanë dhënë nga 1000 blloka, Kompania “Rekos” ka dhënë 400 manta apo gjysmën e nevojshme. Themelet i ka hapur Shaip Korrani nga Pozherani, 50 kubik zhavorr i ka dhënë Ramush Haziri, 40 kubik zhavorr betoni i ka dhënë Kadri Ibrahimi nga gurëthyesi në Gërnçar dhe 20 kubik të tjerë Afrim Rexhepi nga gurëthyesi në Podgorc”, tregon kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, dega në Viti, Qemajl Rexhepi. Edhe dajallarët e fëmijëve të Skender Salihut kanë ndihmuar me një shumë të konsiderueshme të mjeteve.

Bislim Bislimaj thotë se pritet që brenda 10 ditësh të kryhet kati i parë, deri në pllakë. “Sot po i mbushim shtyllat. Nesër do të fillojmë murosjen, pastaj të shohim si do të shkojnë punët. Do të përparojmë aq sa do të ketë material në kohë të duhur”, thotë Bislimaj, i cili bashkë me kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve-dega në Viti, Qemajl Rexhepi kanë punuar pesë-gjashtë ditë vullnetarisht në ngritjen e themeleve.

Qëndrimi Salihu dukej i lumtur për këtë dhuratë që po ua bën shoqëria dhe të afërmit. Ai gjithsesi shprehet falënderues dhe mirënjohës për këtë. “Na ka ardhur mirë që po trajtohemi në këtë mënyrë. Shpresoj se edhe familjet tjera të dëshmorëve që nuk kanë mundësi, t`iu ndërtohen shtëpi banimi nga donatorë dhe njerëz të vullnetit të mirë. I jemi falënderues edhe komunës që na ka ndarë 5 ari sipërfaqe. Ne aktualisht jemi duke jetuar me qira, sepse shtëpia e dajës, ku kemi qëndruar deri para një kohe, vërshohet nga uji kur ka të reshura të shiut”, thotë Qëndrimi.

Kjo është shtëpia e parë që po ngritet në trojet e ndara nga komuna për familjet e dëshmorëve, në hapësirën midis tregut të gjelbër dhe stadiumit në Viti.

Ndryshe, dëshmori Skender Salihu, ka rënë në altarin e lirisë, më 5 prill të vitit 1999, në Smirë. Atë ditë ranë dëshmorë edhe Mirali e Hebib Sejdiu dhe Ylvi Demiri.

Leave A Reply