blerim_rashiti_duke_ngjyrosur_xhamineSmirasi i ri, Blerim (Ismet) Rashiti, me punë në Bazel të Zvicrës, ka ardhur për disa ditë në vendlindje. Por pushimin e tij, ia ka kushtuar bashkësisë ku ka kaluar fëmijërinë e tij. Ai me mjete të veta financiare ka blerë materialin e nevojshëm dhe po e ngjyros vullnetarisht minaren e xhamisë së fshatit. Në këtë vepër humane, po i ndihmon kusheriri i tij, Avniu.

 

Karakteristikë e gjithë këtij tregimi është puna në mënyrë të veçantë dhe mjaft impresionuese-jo në skele, por me ndihmën e litarëve, si “Spiderman” i vërtetë. Blerimi tërë kohën rri i kacavjerur dhe i sillet minares duke ia ndërruar krejtësisht pamjen. Kurse Avniu e asiston nga lart.

“Kur kam qenë para ca kohësh në Smirë, për t`i sjellë paratë që babi i dërgoi për hapjen e pusit të xhamisë, e pashë se xhamia ishte renovuar, por minarja kishe mbetur pa u ngjyrosur. Pyeta për këtë dhe më thanë se kjo nuk ka pasur mundësi të bëhet, për shkak se nuk ka pasur skele. Unë shpreha dëshirën dhe vullnetin tim dhe u zotova se do ta ngjyros vet. Tash kam ardhur në pushim me familjen dhe po e shfrytëzoj rastin që edhe minares t`ia jap pamjen që e meriton. Fillimisht i kam dhënë shtresën e parë dhe pastaj vjen e dytë. Krejt kjo i do pesë ditë punë”, thotë Blerimi.

Ai kur i kishte pasur 13 vjet kishte migruar, bashkë me familjen, në Zvicër. Atje është shkolluar dhe është specializuar për profesionin e auto-ngyrorësit. Këtë punë thotë se e kryen qe 12 vite. “Unë jam punësuar në një sallon të automjeteve për rregullimin e karoserisë dhe ngjyrosjen e automjeteve. Pas një kohe, kompanisë sonë i erdhi një ofertë e mirë për të filluar edhe mirëmbajtjen e shtyllave të larta të rrjetit elektrik. Unë pranova që të jem në ekipin që do ta kryejë këtë punë. Në fillim ishim dhjetë veta, por tashti jemi vetëm dy që e kryejmë këtë punë, sepse është e vështirë dhe me rrezik të lartë. Është pak e sikletshme të rrishë mbi 100 metra lartësi, i lidhur me litar në bel dhe këmbë dhe të punosh.Të mpihen këmbët, sepse qarkullimi i gjakut është i vështirësuar pasi litarët të shtrëngojnë vazhdimisht këmbët. Për këtë arsye, kohë pas kohe duhet të zbresësh poshtë të pushosh dhe të marrësh pak veten”, thotë Blerimi.

Ai tregon se ka pasur rastin të lëshohet edhe nga 380 metra lartësi në një pendë uji në kantonin e Valisit në Zvicër. Këtë thotë se e ka bërë vetëm për qef, duke u argëtuar me shokë. Kurse thotë se në punë shtyllat më të larta që arrijë t`i mirëmbajnë janë 120 metra të larta. Sipas tij, kjo është punë e rrezikshme, por njëkohësisht të jep edhe një ndjenjë të veçantë, sepse je lart dhe këtë nuk mund ta bëjë gjithsecili njeri. Kurse Avniu është modest dhe nuk dëshiron të flasë shumë për punën që po e bëjnë, duke pohuar se këtë e sheh si obligim qytatar. 

Gjesti i Blerimit dhe Avniut është pritur mirë në fshat. Banorët e përmendin dhe e vlerësojnë lart kontributin e tyre vullnetar dhe punën që po bëjnë për të mirën e përgjithshme dhe për të ndryshuar fshatin. Sidomos u duket atraktive mënyra se si po e kryejnë punën. Këtë vepër të mirë e ka përshëndetur edhe imami i fshatit, i cili në emër të besimtarëve i ka falënderuar këta dy djem të vyeshëm dhe fisnik. 

Leave A Reply