
Ai ka thënë se sot në Kosovë e kemi shtetin e dobët, sepse e kemi pushtetin e korruptuar. Për të dalë nga kjo situatë, Kurti mendon se është e domosdoshme të mos vazhdojë dialogu i përhershëm me Serbinë, me ç`rast sipas tij, asaj po i bëhen lëshime, e Kosovës po i dëmtohet funskionimi i shtetit dhe perspektiva për sovranitet.
Ndërkaq Albin Kurti tha se “Vetëvendosje” mendon se Kosova ka nevojë urgjente për zhvillim ekonomik, duke i kanalizuar investimet kah prodhimi, e jo vetëm kah financat, shërbimet dhe tregtia, sepse prodhimi do të mundësonte vende të reja pune.
“Në veçanti kur po them investime në prodhim mendoj në dy gjëra: në industrinë minerale energjetike dhe në bujqësi. Ka mundësi të përqendrohemi në bujqësi duke i subvencionuar bujqit tanë sa i përket plehut, farës, derivateve të naftës, kurse shteti ka për detyrë t`ua sigurojë tregun atyre. Nuk është në rregull që një bujk të mbjellë qepë këtu, e në doganë të hyjnë 29 maune me qepë nga Egjipti dhe t`ia rrëzojë çmimin për tokë”, ka thënë Kurti. Ai poashtu akuzon edhe bankat, të cilat kreditë për bujqësi i kanë me shkallën më të lartë të interesit.
Sa i përket integritetit terrirorial dhe shtetndërtimit, sipas tij, problemi kryesor në Kosovë është Mitrovica, kurse Kurti mendon se FSK duhet të shpallet dhe të bëhet ushtri, gjithashtu është dashur të revitalizohej Trepça dhe të mos shiten ndërmarrjet shoqërore. Kurse sa i përket liberalizimt të vizave ka thënë nuk e kemi të ardhmen e mirë, derisa ne flasim si mund të shkojmë si individ në Evropë, e jo si shtet.
Pjesëmarrësit në takim u inkuadruan në debat me pyetje dhe komente për çështje të ndryshme, si për liberalizimin e vizave, bisedimet me Serbinë, programin e “Vetëvendosjes”, sistemin zgjedhor në Kosovë etj. .

