Drejtori i INPO-s, Samir Reka, ka vizituar personalisht, të shtunën, Smirën, me ç`rast është pritur nga kryetari i fshatit Bekim Azizi. Reka tha se aktivitetet dhe aksionet si dhe puna vullnetare që bëhet këtu, e kanë nxitur që të njihet më përsëafërmi me jetën dhe zhvillimet në Smirë.
“Edhe INPO si organizatë, përveç tjerash e ka për synim nxitjen e qytetarisë aktive. D.m.th që njerëzit të jenë të kyqur drejtëpërdrejt me shoqërinë dhe të kontribuojnë në mënyra të ndryshme për të mirën e përgjithshme të komunitetit ku jetojnë, pavarësisht a bëhet fjalë për fshatra apo për lagje të qyteteve. Unë kam parë në faqen tuaj të internetit se banorët e Smirës janë shembull për këtë sepse janë aktiv, të bashkuar dhe kanë konsideratë për hapësirën ku jetojnë. Prandaj puna e aktivistëve të Smirës është model i mirë që duhet të mirret dhe të ndahet me të tjerët, në mënyrë që të shohin se çka mund të arrihet me aktivizëm qytetar. Mund të them lirisht se është mbresëlënëse gatishmëria e smirasve për të kontribuar vullnetarisht për vendlin ku jetojnë”, tha Reka.
Ai u interesua edhe për zhvillimet dhe gjendjen në lëmenjë tjerë të jetës, siç është bujqësia, për të shikuar mundësinë e gjetjes së ndonjë donacioni për fermerët e këtushëm. “Ne jemi të interesuar për bashkëpunim me Smirën-nga ju të marrim përvojat e mira, por INPO poashtu mund edhe t`i ndihmojë Smirës se si t`i qaset fondeve të organizatave të ndryshme të cilat do të mund të investonin projekte këtu. Ne do të shikojmë mundësinë që ndërmjetësojmë për këtë qëllim”, tha drejtori i INPO-s, Samir Reka. Ai premtoi se do të vijë sërish në Smirë për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin.
Kryetari i Smirës, Bekim Azizi, e ka mirëpritur vizitën dhe interesimin e INPO-s dhe e ka njoftuar Rekën për mënyrën se si funksionon organizimi i aktiviteteve, projekteve dhe iniciativave qytetare që bëhen në fshat.
. “Është e vërtetë se smirasit njihen si aksionistë të mirë. Ne tashmë kemi një bashkëpunim të mirë me FIQ-in, i cili na ka nxitur të punojmë akoma më shumë, por edhe FIQ ka marrë përvojat tona. E falënderoj edhe INPO-n, në këtë rast Samirin që është interesuar dhe ka ardhur të na vizitojë. Besoj se edhe nga INPO do të marrim shtytje të reja dhe përvoja që do të na duhen t`i aplikojmë në raste të caktuara. Fundja aktivizmi qytetar është vlerë që duhet kultivuar akoma më shumë, sepse qytetari gjithçka që bën për komunitetin ka bërë mirë për vete”, tha Bekim Azizi.
Më shumë informata rreth aktivitetit të OJQ-së Iniciativa për Progres-INPO, mund të merren në faqen e internetit www.inpo-ks.org