HYSNI_BISLIMI_MIREVeteranit të arsimit, Hysni (Nazif) Bislimi nga Smira, iu dha lamtumira e fundit. Familjarë, bashkëfshatarë, të afërm, miq e dashamirë,morën pjesë në ceremoninë mortore, duke e nderuar veprën dhe personaliteti e tij. Ai, ishte ndër kuadrot e para të arsimuara në fshat dhe për dekada të tëra derdhi djersë në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja. Karrierën si mësimdhënës i Edukatës Fizike, e përfundoi para dy vitesh në Shkollën fillore “Dëshmorët e 5 Prillit”.  

Për veprën dhe shëmbëlltyrën e Hysni Bislimit, në emër të nxënësve dhe kolektivit të kësaj shkolle, foli Naim Agushi.

“Me dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen e veteranit të arsimit Hysni Bislimi. Si mësues tregoi sukses në punën edukative-arsimore, ku krahas punës ai ativizoi edhe nxënësit dhe rininë në aktivitete të lira, si dramë, muzikë dhe vallëzim. Në krye të këtyre aktiviteteve ishte Hysni Bislimi. Hysniu ishte punëtor i mirë, shok i dashur dhe aktivist i dalluar. Sot ia themi lamtumirën e fundit ne nxënësit, kolegët e punës, miqtë dhe i gjithë fshati. Në emër të kolektivit të shkollës i shprehim ngushëllime familjarëve dhe të gjithë të pranishmëve”, tha drejtori i shkollës, Naim Agushi.

Hysni Bislimi vdiq të hënën në mbrëmje, pas problemeve me zemër, në një spital të Shkupit.

                                                      BIOGRAFIA E HYSNI BISLIMIT

Hysni Bislimi lindi më 05.05.1945 në fshatin Smirë komuna e Vitisë. Shkollën fillore e kreu në fshatin Smirë dhe Goshicë, kurse të mesmen (normalen) në Shkup.

Në shtator të vitit 1964 Hysniu filloi punën në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Goshicë. I etur për dije, ai vazhdoi shkollimin në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë më 1970/1971 në degën e Kulturës Fizike dhe pa shkëputje nga puna e përfundoi me sukses.

Në vitin 1977 u punësua në Qendrën e Arsimit të Mesëm “Boro e Ramizi”, në Viti, ku punoi deri në vitin 1985, kur u kthye në Smirë për të vazhduar karrierën profesionale.

Në periudhën 2000-2003 ka qenë drejtor në Shkollën fillore “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë ku u tregua si menagjer i mirë dhe i suksesshëm.

Ai punoi si arsimtar i Edukatës Fizike në shkollën e Smirës deri në pensionimin e tij në vitin 2010.

Hysni Bislimi ishte edhe aktivist i dalluar, kurse në vitet 1999-2000 ka qenë administrator i fshatit Smirë.

Leave A Reply