Atmosfera ishte ndezur më herët, me surle e tupanë dhe me valle. Por, gjithçka shpërtheu, pikërisht në ndërrimin e moteve, kur u ndezën fishekzjarret në mënyrë të organizuar.
I madh e i vogël kishin dalë për ta përcjellë këtë spektakël të përgatitur dhe të paralajmëruar më parë nga një grup qytetarësh të Smirës. Dhe pikërisht në orën 24:00, qielli mbi Smirë u ndriqua i tëri dhe u zbukurua nga ngjyrat e mjeteve piroteknike, të cilat krijuan emocione të zjarrta tek të pranishmit.
Edhe të tjerë smiras u shprehën të entuziazmuar me gjithë këtë organizim. Aty ishin mbeldhur njerëz nga të gjitha lagjet e fshatit. Në një moment qielli u skuq i tëri, kurse tymi herë-herë të terronte fare sytë.
Njazi Fejzullahu, Xhelal Rrahmani, Ibush Ramadani, Bekim Azizi, Kemur Mustafa, nga Këshilli organizativ, shpreheshin të kënaqur që festa kaloi mirë dhe njerëzit u kënaqën.
“Së pari bukuria ishte vet spektakli, por na gëzon edhe fakti që i gjithë ky kremtim kaloi pa vërejtje apo ndonjë incident, sepse edhe qëllimi i kësaj mënyre të organizimit ka qenë që të shmanget përdorimi i armëve në raste të festave”, tha Xhelal Rrahmani. Për të mos ia lënë asgjë rastit, aty ishte edhe Policia e Kosovës që kujdesej për rendin. Mirëpo, për fat, gjithçka përfundoi si është më së miri.
Kryetari i fshatit Bekim Azizi tha se kjo mënyrë e kremtimit do të jetë tradicionale dhe do të praktikohet edhe viteve tjera. Mjetet piroteknike janë siguruar me mjetet e mbledhura nga disa kompani dhe individë të fshatit.
Të pranishmit uronin njëri-tjetrin që viti 2013 të jetë i begatshëm për fshatin.
Gëzuar smiras kudo që jeni!