takimi_me_8_dhjetor_2012_te_DajtiNuk ka kaluar as një javë nga përurimi  tri projekteve të komunitetit të Smirës në bashkëpunim me Forumin për Iniciativa Qytetare FIQ dhe smirasit kanë nisur dy iniciativa të reja. E para është takimi i përbashkët, që do të quhet ”Takimi i fundvitit” dhe i cili planifikikohet të mbahet pak para Vitit të Ri.

Aty do të ftoheshin shumë banorë të Smirës, për të shënuar përmbylljen e vitit 2012 dhe për të diskutuar planet dhe aktivitetet e projektet që do të mund të realizoheshin për vitin e ardhshëm. Me këtë rast do të ketë edhe koktej dhe program artistik dhe ndonjë pikë atraktive.

Kryetari i fshatit Smirë, Bekim Azizi, në një takim që pati me disa nga shumë aktivistët vullnetarë, Afrim Halili, Xhelal Rrahmani, Ibush Ramadani, Njazi Fejzullahu, Kemur Mustafa e Tefik Salihu, tha se ideja e këtij takimi është që smirasit të lidhen akoma më shumë ndërmjet vete dhe të kultivohet edhe më tepër respekti dhe dashuria për vendlindjen.
“Natyrisht në takimin e fundvitit përveç se do të diskutohen të arriturat dhe problemet që karakterizuan vitin që po e lëmë pas, dhe planet për të ardhmen, do të kemi rast të bisedojmë e të kalojmë pak kohë me njëri tjetrin, sepse ka plot njerëz të Smirës që nuk janë parë me muaj të tërë, apo nuk janë parë fare gjatë gjithë vitit. Prandaj ky është një tubim për qef, për të biseduar, për t`u argëtuar e festuar bashkë, pra për t`u kënaqur”, tha Bekim Azizi.

Ai tha se synimi është që ky takim të bëhet tradicional dhe të organizohet për çdo fundvit. Detajet e këtij takimi do të diskutohen gjatë ditëve të ardhshme nga Këshilli Organizativ. Menjëherë filloi edhe mbledhja e mjeteve financiare të nevojshme për realizimin e këtij projekti. Të parët që hapën kuletën ishin pikërisht anëtarët e Këshillit Organizativ prezent në takim. Ata presin edhe ndihmën e të tjerëve, në mënyrë që smirasit të organizojnë një mbrëmje të paharruar në fundvit.

Projekti tjetër që u vendos të realizohet është festimi i Vitit të Ri në qendër të fshatit Smirë, në mënyrë të organizuar dhe masovike me moton “Smira feston me ngjyra”. Kjo ide ka ardhur spontanisht nga Xhelal Rrahmani dhe Njazi Fejzullahu, para një jave në përurimin e tri projekteve me FIQ-in: mini-stacionet e autobusëve, perdet në shkollë dhe shtegu në oborrin e shkollës.

“Ne propozojmë që ndërrimin e moteve ta festojmë në mënyrë më të veçantë, pra që të tubohemi të gjithë diku në qendër të fshatit dhe aty të shkrepim fishekzjarre bashkë, në mënyrë që festës t`i japim madhështinë e duhur dhe të bartim mesazhin tek të gjithë që të mos përdorin armët për të festuar. Pra të festojmë me ngjyra-jo me plumba”, thotë Xhelal Rrahmani, njëri nga iniciatorët e projektit.

Edhe kjo nismë u përkrah nga të pranishmit, mirëpo pasi që bëhet fjalë për implikimin e mjeteve të cilat në raste të caktuara, kur përdoren pa kontroll, mund të jenë të rrezikshme, u bë thirrje që plani të bëhet me kujdes. “Përdorimi i fishekzjarreve është i lejuar. Qëllimi është shumë i mirë dhe fisnik, megjithatë, kjo është iniciativë e guximshme, sepse të ftosh, ndoshta, qindra njerëz në qendër të fshatit, bart në vete edhe rrezikun e ndonjë akcidenti të paqëllimshëm nga festimi i turmës. Dikush madje mund të gjuajë edhe me armë, edhe pse, njerëzit janë vetëdijesuar dhe tashti rastet e përdorimit të armëve nëpër festa dhe ahengje familjare ka rënë. Kështu që ju kisha lutur që këtë ta shqyrtoni me kujdes dhe të bëhet organizimi serioz” tha komandanti i Stacionit Policor të Kosovës, në Viti, kapiten Afrim Halili.  Sidoqoftë ai tha se nëse është nevoja aty do të jetë edhe policia për të vëzhguar gjendjen dhe do të merren masa ndaj të gjithë atyre që eventualisht me ndonjë veprim bëjnë shkelje ligjore gjatë festimit.

Kryetari i Smirës, Bekim Azizi, e vlerësoi si të veçantë këtë nismë, ndoshta të vetmen në Kosovë.

“Është ide e mirë dhe  e përkrahim. Edhe kultura e festimit ka rëndësi. Duam t`ju japim të gjithëve shembullin e mirë se si duhet të shprehet gëzimi, e jo dikush të përfunojë në emergjencë me lëndime nga mjete piroteknike apo armë zjarri në natë feste. Natyrisht se është sfiduese të tubosh qindra njerëz para ndërrimit të moteve por ne do ta analizojmë mirë këtë dhe besojmë se do t`ia arrijmë ta ‘ngjyrosim’ qiellin dhe gjithçka do të shkojë si duhet”, thotë Bekim Azizi.

Detajet e iniciativës për projektin “Smira feston me ngjyra” do të diskutohet në takimet tjera të Këshillit Organizativ.

Leave A Reply