Takimi_te_dajti_2012Qindra banorë të Smirës kanë mbajtur mbrëmë për herë të parë “Takimin e fundvitit të smirasve”. Qëllimi i takimit ka qenë tubimi i  banorëve për të shënuar në mënyrë simbolike ndërrimin e moteve dhe për t`u argëtuar së bashku. Kryetari i Smirës, Bekim Azizi, tha se fshati falë iniciativave qytetare gjatë vitit 2012 ka realizuar disa projekte. “Sivjet ngritëm 2 përmendore për dëshmorët dhe martirët e vitit 1912, të cilat kanë kushtuar mbi 30 mijë euro.

Janë bërë investime në renovimin e xhamisë dhe kemi pasur pastrimin e fshatit. Për këtë Forumi për Iniciativa Qytetare e ka marrë shembull Smirën në gjithë Kosovën dhe ia ka financuar tri projekte: stacionet e autobusëve, perdet në shkollë dhe shtegun për nxënës. Shfrytëzoj rastin t`i falënderoj të gjithë ata që ndihmuan dhe kontribuan për të gjitha iniciativat si dhe për këtë takim që po e mbajmë sonte. Mirëpo, fshati ka nevojë edhe për projekte e ndryshime tjera. Për këtë ka nevojë edhe për mjete financiare. Kështu që disa njerëz kanë propozuar që të ndajmë nga një mëditje gjatë vitit dhe ta derdhim në fonin e fshatit. Një grup që jemi do të fillojmë që nga 1 janari i vitit 2013 ta praktikojmë këtë”, tha Bekim Azizi. Ai njoftoi se për vitin e ardhshëm është në plan të ndërtohet kanalizimi i fshatit dhe për këtë kërkohet edhe participimi i banorëve të fshatit.

Imami i fshatit, Gafurr Ramadani tha se takimet e tilla janë më se të nevojshme në mënyrë që komuniteti të njihet edhe më shumë mes vete. “Është mirë kur njerëzit takohen kështu dhe lidhen më shumë për të mirën e shoqërisë, sepse shoqëria zhvillohet vetëm duke punuar së bashku dhe duke u angazhuar për përmirësimin e jetës. Është koha t`i përvishemi punës dhe të bëjmë vepra të mira. Sidomos kemi nevojë për edukimin e fëmiëjëve tanë. Në këtë drejtim duhet të investojë edhe familja por edhe shoqëria në përgjithësi, sepse kjo është gjëja më e shtrenjtë”, tha Mulla Gafurri. Ai u dëshiroi shëndet të mirë dhe suksese të gjithë smirasve kudo që janë.

Mërgimtari Ramadan Rrahmani, nga Kryesia e smirasve në Zvicër, i përgëzoi organizatorët e këtij takimi dhe u shpreh i lumtur që gjendet në këtë mbrëmje. “Nuk ka ndjenjë më të mirë se të gjendesh në mesin e bashkëatdhetarëve. Ne jemi shumë të gëzuar për këtë. Unë ju falënderoj për organizimin e kësaj mbrëmjeje, sepse tubimet e tilla na bënjë të ndihemi më të afërt me njëri-tjetrin. Edhe ne tash e tri vite mbajmë takime të tilla në Gjenevë dhe ia vlen të organizohene dhe në të ardhmen”, tha Dani. Ai në emër të diasporës, falënderoi edhe administratorët e faqes së Smirës, që i kanë mundësuar diasporës komunikimin më të afërt me vendlindjen.

Kurse Tefik Salihu, njëri nga administruesit e faqes së internetit fshatismire.com, prezantoi punën dhe statistikat e faqes në dyvjetorin e saj. “Faqja është krijuar me qëllimin kryesor bashkimin e smirasve kudo që ata jetojnë. Dhe këtë e ka arritur, sepse për dy vite ka pasur mbi 120 mijë vizita, që i bie nga 5 mijë në muaj, apo nëse e thjeshtësojmë akoma, një vizitë në çdo 10 minuta. Për dy vite kemi postuar mbi 3000 artikuj dhe mbi 1700 fotografi”, tha Tefik Salihu, i cili u zotua se faqja si dhuratë e fshatit do të vazhdojë të funksiionojë edhe në të ardhmen.

Para të pranishmëve u prezantuan  me valle SHKA “Januz Ramadani” dhe Grupi i valëlzimit modern “Yjet”.

Kurse pjesëmarrësit e takimit vazhduan ndejën duke vallëzuar e biseduar mes vete.

Takimi u mbajt në Restorant “Dajti” në Gërmovë dhe u vendos që të jetë tradicional dhe do të mbahet për çdo fundvit.

Leave A Reply