Flakët kanë përpirë një pjesë goxha të madhe të shtëpisë së Mustafë Jahiut, në Smirë. Zjarri ka shpërthyer të shtunën pasdite në aneksin e shtëpisë, që ka shërbyer si kuzhinë dhe ndejë ditore (sallon) dhe pastaj është përhapur në katine dytë, duke djegur krejt kulmin, dy dhomat dhe korridorin lart. . Anëtarët e familjes nuk kishin qenë në pjesën ku ka plasur zjarri dhe kanë intervenuar por përpjekjet kanë qenë të kota. “Burrat nuk kanë qenë këtu. Ne të tjerët kemi qenë në shtëpi. Vetëm kur kemi parë tym e flakë.
Nuk dihet saktë si ka shpërthyer zjarri. Vetëm kam vrapuar dhe e kam nxjerrë djalin e vogël 3 vjeç nga ajo pjesë”, tregon njëra nga anëtaret e familjes, e cila nuk preferoi t`i bëhet publik emri.
Dëshmitarët tregojnë se kanë nisur shuarjen e zjarrit me ujë nga pusi, por pasi KEK-u ka ndërprerë rrymën në gjithë fshatin për shkaqe sigurie, përpjekjet kanë qenë të kota për ta lokalizuar zjarrin.
Zjarrëfikësit kanë intervenuar poashtu, por manovrimi I tyre ka qenë i kufizuar, sepse shtëpia nuk kishte pllakë betoni. “Kemi bërë përpjekjet maksimale në mundësitë që kemi me teknikën në dispozicion, por zjarrëfikësit e kanë pasur vështirë . Është dashur të lëvizet vetëm nëpër mure, sepse kanë mundur të bien dhe të lëndohen. Por, është mirë që zjarrin nuk e lam të shpërndahet në shtëpinë tjetër të fqinjt që ishte shumë afër dhe e shpëtuam një pjesë të aneksit si dhe katin e parë të shtëpisë pa u djegur”, thotë zëvendëskomandanti i Brigadës së zjarrfikjes në Viti, Naser Abazi.
Për t`u solidarizuar me familjen Jahiu në momente të vështira, kishin ardhur dhjetëra bashkëfshatarë. Ata po ndihmonin për largimin e gjërave nga shtëpia dhe për fikjen e zjarrit. Kryefamiljari i pikëlluar shikonte si po shkrihej një pjesë e pasurisë së tij. “Kemi bërë mjaft investim në këtë shtëpi, me punë në gurbet. Por fatit nuk i dihet. Shyqyr që zjarri nuk ka prekur në njerëz. Të tjerat rregullohen edhe pse dëmi është mjaft i madh”, thotë Mustafë Jahiu.
Edhe Policia e Kosovës ishte në vendin e nagjarjes dhe po mlidhte shënimet. Ende nuk dihen shkaktarët e saktë të zjarrit, që la pas vetes dëme të konsiderueshme materiale, por për fatin e mirë kaloi ka pasoja në njerëz.