Këtë biletë udhëtimi të autobusit urban, dikush e ka sjellë nga Prishtina dhe e ka hudhë në Smirë. Por, dikush tjetër është kujdesur që ta largojë atë nga rruga dhe ta dërgojë aty ku e ka vendin. Të dielën, i madh e i vogël ishin ngritur në këmbë për të pastruar. Fshati “vlonte” nga pjesëmarrësit e aksionit që ishte vazhdim i atij që kishte nisur të dielën e kaluar. Nuk mjaftuan as 200 thasët që i kishte siguruar Komuna e Vitisë. Dhe Smira u bë “me ngjy kryp” në të. Askush nuk e mban në mend që fshati të ketë qenë ndonjëherë i pastruar komplet si sot.
Asnjë lagje dhe hapësirë publike nuk ka mbetur pa u përshkuar dhe askund nuk mund të gjesh mbeturina. Sot ishin përfshirë në pastrim edhe disa arsimtarë dhe dhjetra nxënës të Shkollës së mesme të ulët “Dëshmorët e 5 Prillit”. Gjithë këtë aktivitet kishte dalë ta përcillte dhe ta fiksonte edhe fotografi Njazi Halili, i cili edhe vet pastronte bashkë me të tjerët.
Për ta parë këtë zell të smirasve, kishte ardhë special nga Ferizaj, edhe zëvendësdrejtori i Organizatës Forumi për Iniciativa Qytetare-FIQ, Nazim Haliti. “Natyrisht neve na interesojnë komunitetet që janë të organizuara si ju-që marrim mundin, bashkohen dhe bëjnë punë vullnetare për të mirën e përgjithshme të publikut. Edhe uebfaqja juaj është një nga ato vlera që keni. Aty edhe e pashë njoftimin për aksionin. Kjo është inkuajurese dhe jo rastësisht ne e kemi zgjedhur Smirën të bashkëpunojmë me të. Aktivitetet dhe gatishmëria për aksione e projekte vullnetare e bëjnë këtë fshat të dalluar nga lokalitete tjera të Kosovës. Edhe sot po shoh një mobilizim të lakmueshëm, që duhet të jetë shembull edhe për mjedise tjera”, tha Haliti.
Ai tha se muajve të ardhshëm aktivistë të fshatit dhe përfaqësues të FIQ-it, do të mbajnë ligjërata në vendbanime të ndryshme të Kosovës, për të ndarë përvojat e Smirës në fushën e aktivizmit qyetar. Në aksion ishin hedhur edhe mërgimtarët Xhavit Salihu, Mustafë Ademi dhe Ramadan Rrahmani, që kishin ardhur nga Zvicra në vendlindje për disa ditë pushim.
“U kënaqa me këtë vullnet të njerëzve për të parë fshatin më të pastër dhe më të rregullt. Unë kam kaluar kohë të gjatë në gurbet dhe fshati më mungon shumë. Besoj se kështu edhe do të mbahet ambienti”, thoshte Xhaviti, i cili nuk e hiqte thesin nga duart duke mbledhur mbeturina me shokët.
Aty ishin edhe plotë të tjerë, që nuk u ndalën tërë ditën vetëm e vetëm për ta bërë fshatin si thonin “kukull”. Përveç vullnetit të mirë për ta pastruar ambientin, ndjenja njerëzore tek disa aksionistë smiras, ishte akoma më e theksuar. Fisnik Imeri përveç që mblidhte mbeturina, ai kujdesej që kapakët e plastikës t`i ndante për t`i dërguar në riciklim, për prodhimin e karrocave për personat me aftësi të kufizuara. Atij i erdhi në ndihmë edhe 8-vjeçari Ardiani, i cili ia solli një qese të madhe me kapak.
Të gjithë që morën pjesë sot në pastrimin e fshatit, u pajtuan që ky aksion të jetë tradicional dhe të zhvillohet çdo të diele të fundit të muajit.
Aksioni për pastrimin e Smirës, nuk ishte aktiviteti i vetëm sot në fshat. Në Bjeshkallavë u punua gjithë ditën për të bërë gati lapidarin kushtuar viktimave të Masakrës së vitit 1912. “Këtu mbollëm disa bimë dekoruese, rregulluam hapësirën, u rregullua edhe vendi i rënies së Ylvi Demirit, u shvendosën rrethojat e varrezave, dhe po rrafshohet pak terreni në mënyrë që të jemi gati për të premten. Ka pasur shumë njerëz sot që kanë bërë punë vullnetare dhe kemi punuar mjaft. Ka edhe pak punë por besoj se do t`i kryejmë me kohë”, thotë Fehmi Ramadani, iniciuesi i ngritjes së kësaj përmendoreje.
Punimet vazhduan edhe tek tjetra përmendore tejtër në hyrje të fshatit kushtuar Xukë Zukës, Sahit Goranit e Bajram Ahmetit, të rënë dëshmorë në luftë kundër Ushtrisë Serbe, në Sojevë, më 1912. Këto dy përmendore do të përurohen të premten më 26 tetor në orën 12:00.