Pas rrafsh 100 vjetësh dëshmorët Xukë Zuka e Bajram Ahmeti nga Smira si dhe Sahit Gorani nga Gërmova, kthehen në vendlindje. Mbetje të tyre mortore u zhvarrosën sot nga ekipe të specializuara nga Sojeva dhe u rivarrosën tek monumenti përkujtimor të ngritur për ta, në hyrje të fshatit Smirë. Ata u vranë më 1912 në luftë kundër ushtrisë serbe dhe u varrosën në një parcelë private tek vendi i quajtur “Roga”.
Pronari i parcelës Sali Hetemi nga Sojeva, tregon se tokën e kishin blerë nga tjetër kush dhe pronari i mëhershëm u kishte thënë se aty ka një varr të përbashkët me luftëtarët nga Smira dhe Gërmova.
“Baba na ka treguar se këtu ka luftëtarë të Smirës të varrosur dhe na ka porositur që të kujdesemi dhe të mos e dëmtojmë duke punuar. Ne jo vetëm që nuk e kemi dëmtuar por edhe jemi kujdesur për ta mbajtur në gjendje të mirë, sepse edhe ne kemi pasur respekt për ta. Kur punonim gjenim plumba këtu. Bile këtë vend e kemi quajtur ‘Ara e vorreve’. Kanë thënë se i ka varrosur Kosum Tusha por unë kam dëgjuar që i ka varrosur në një varr Mustafë Asllani. Nuk kemi shumë informacione por na kanë thanë se janë tre të varrosur. Në atë luftë ka pasur edhe të vrarë tjerë. Vetëm në Sojevë janë vrarë 53 veta. Por ka pasur edhe luftëtarë nga fshatra tjera që kanë rënë këtu në luftë”, thotë baca Sali.
Feriz Ahmeti u tregonte shumë të tubuarve që kishin ardhur nga Smira,, Gërmova dhe Sojeva. në zvarrim, për krnologjinë e ngjarjeve të asaj kohe.
“Kur shqiptarët e çliruan Shkupin, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, Zefit të Vogël dhe Bajram Currit, fuqitë e mëdha Franca dhe Austro-Hungaria e panë se shqiptarët e fituan një lloj autonomie nga Perandoria Osmane. Kjo e fundit e shpalli autoniminë e arnautëve të Rumelisë, ku kanë bërë pjesë Vilajeti i kosovës, i Janinës dhe i Shkodrës. Kjo nuk u konvenoi shteteve evropiane dhe dhanë sinjal shteteve ballkanike Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë që të coptojnë trojet shqiptare, në përkrahjen e tyre dhe me ndihmën e Rusisë. Ata kanë filluar sulmet në disa anë. Forcat serbe kanë ardhur nga Merdari disa kanë shkuar në drejtim të Prizrenit, kurse këtu në Ferizaj është bërë rezistenca më e madhe sepse kanë ardhur vullnetarë në mënyrë të organizuar. Mirëpo rezistenca është shuar dhe forcat serbe kanë vazhduar masakrat në Sojevë, Komogllavë, Tërstenik, Goshicë, Smirë dhe Lubishtë”, thotë Feriz Ahmeti.
Koordinatori i këtij projekti, Isuf Zuka, nga Smira, tha se më në fund ëndërra u realizua dhe mbetje mortore të tre dëshmorëve tani janë te rrënjët e veta. “Para disa vitesh ne kemi vizituar vendin ku janë të varrosur Xukë Xuka, Bajram Ahmeti dhe Sahit Gorani, në Sojevë, Pra, varri i përbashkët është mbajtur në gjendje të mirë për gati 100 vjet. Mirëpo, pavarësisht kësaj, ne kemi menduar që këta dëshmorë të kthehen në vendlindje, sepse shumë bashkëfshatarë tanë ndoshta as nuk e dinë që ata kishin rënë në luftë. Duke nderuar veprën e tyre dhe duke ua kthyer mbetjet mortore në vendlindje, dëshirojmë që ta trajtojmë si duhet këtë pjesë të historisë sonë”, ka thënë Zuka. Ai ka treguar se ishte në propozim që dy dëshmorët e Smirës të rivarrosen në varrezat e fshatit në Bjeshkallavë, kurse Sahit Gorani të rivarroset në Gërmovë, por në fund është vendosur që ata të mos ndahen, pasiqë bashkë kishin rënë në luftë.
“Ky monument përkujtimor që është ngritur në hyrje të fshatit Smirë, në kënd, pranë varrezave të Gërmovës, është i përbërë nga një lapidar ku do të skaliten emrat e të treve kurse do të krijohet një hapësirë tjetër me shtigje, drunj dekorativ e gjelbërim. Kemi menduar se ky vend është më i përshtatshëm, pasiqë është në kufi administrativ dhe korrespondon me fshatrat nga vijnë dëshmorët-dy nga Smira dhe një nga Gërmova”, është shprehur ai.
Isuf Zuka njoftoi se ceremonia e përurimit të lapidarit përkujtimor për nderë të Xukë Zukës, Bajram Ahmetitdhe Sahit Goranit do të mbahet më 26 tetor të këtij viti bashkë me përmendoren që është nfritur në Bjeshkallavë për nderë të viktimave të 1912 në fshat.Sipas tij, manifestimi do të organizohet nën përkudjesjen e Kryetarit të Komunës së Vitisë kurse do të ketë mysafirë edhe nga niveli shtetëror i vendit.