“E kemi vendosur bazamentin dhe pjesën kryesore të monumentit, ku janë skalitur në mermer ,në shtyllën më të lartë, emrat e tre dëshmorëve të rënë në luftën e Sojevës, Bajram Ahmeti e Xukë Zuka nga Smira si dhe Sahit Goranit nga Gërmova dhe të 60 të masakruarve një ditë pas rënies së tyre. Poashtu aty figurojnë edhe të rënët në vitin 1944, 1948 si dhe dëshmorët e luftës së fundit më 1999. Pra është një përkujtim për të gjithë që janë flijuar për liri. Kjo pjesë e historisë së fshatit duhet të kujtohet dhe t`i kushtohet rëndësia që ka, në mënyrë që brezat e ardhshëm ta kenë të njohur këtë”, thotë Fehmi Ramadani.
Sipas tij, nuk kanë arritur të gjejnë të gjithë emrat e të masakruarve më 1912, sepse thuhet se kanë qenë rreth 80, ndonëse ka kërkuar ndihmë përmes njoftimeve që janë vendosur nëpër fshat dhe në faqen e internetit të fshatit. Ai tregon se kanë mbetur edhe pak punë finale, siç janë rrethojat e reja e disa finesa tjera dhe monumenti është i gatshëm.