finalja_ne_smire_euro_2012Jakup Demiri e ka kaluar gati gjysmën e ditës, duke rregulluar pajisjet për të funksionalizuar ekranin e madh në ambient të hapur te “Beni Impex” në Smirë, për të përcjellur finalen e kampionatit evropian të futbollit midis Italisë dhe Spanjës.

Ai thotë se ndonëse e ka pasur më në qejf Italinë, ia ka vlejtur gjithë mundi që e ka bërë edhe me Zeqir Halilin, për këtë ngjarje, sepse atmosfera ka qenë e mirë dhe finalja është përcjellur nga shumë dashamirë të futbollit. “Kam qenë për

Italinë, por pasi që nuk po luan mirë, jam kthyer me Spanjën”, thoshte duke qeshur gjatë takimit, Jakupi.

 

Në 12 minutat e parë të lojës u vërejt një dominim i vogël në fushë i lojtarëve të Spanjës, të cilët patën dy raste të mira për të shënuar. Së pari ishte Sergio Ramos, i cili tenoi me kokë nga afërsia, por topi shkoi mbi portë. Më pastaj edhe Xavi pati një rast të mirë, por edhe goditja e tij përfundoi pak mbi portën e Bufonit. Ndërkaq, David Silva e kurorëzoi këtë epërsi në fushë me golin e parë dhe Spanja udhëhoqi me 1:0. Asistues ishte Fabregas.

Italia, e cila edhe deri në pranimin e golit nuk është se luajti mbyllur, filloi të bëjë presion më të madh dhe mori iniciativën në lojë. Ishin disa gjysmë raste nëpërmjet Cassanos (dy herë) dhe Pirlos, por pa konkretizim. Në minutën e 41-të, një kundërsulm i shpejt dhe një pasim në thellësi afër 16 metrave të Italisë, nga Xavi drejt Jordi Albas, i cili e solli në epërsi Spanjën me 2:0.

Në minutën e 52-të, një rast i mirë i Di Natales nga afërsia, por Casillas mbron. Nga minuta e 60-të italianët luajtën me 10 lojtarë, pasi Thiago Motta, si zëvendësues, vetëm disa minuta pasi hyri në lojë u lëndua (tërheqje muskuli), kurse Prandelli deri atëherë kishte kryer që të tri zëvendësimet dhe nuk pati të drejtë të fusë në lojë ndonjë lojtar nga bankina.

Deri në fund të ndeshjes me një lojtar më shumë në fushë, Spanja dominoi dhe pati edhe disa raste, kurse Torres, i cili e zëvendësoi Fabregasin, në minutën 82 shënoi edhe golin e tretë, pas asistimit të Xavit. Vetëm disa minuta më vonë, më saktë në minutën e 88-të Juan Mata, sapo hyri në lojë si zëvendësues i Xavit, përfitoi nga një asistim i Torresit dhe shënoi golin e katërt.

Kjo shkaktoi tërmet në taborin e tifozëve të Italisë në Smirë. Fevzi Ademi u ngrit pesë minuta pa mbaruar ndeshja nga zemërimi dhe nuk ishte i interesuar të shikonte më se si Italia po fundosej, me rezultat 0:4.  

Shikuesit që ishin mbledhur në Smirë, secili në mënyrën e vet e komentonin lojën, por ekzitonte një përshtypje e përgjithshme se italianët nuk ishin askund në element dhe nuk ofruan asgjë, duke bërë që edhe finalja të jetë shumë e zbehtë. “Italia ka qenë dashur të luajë lojën e vet që e luan me dekada. T`ia prishë lojën Spanjës në mesfushë, sepse spanjollët aty i koordinojnë aksioniet dhe pastaj janë të pandalshëm”, thoshte Mentor Ibishi,i zhgënjyer që kishte humbur Italia.

Më i lumturi, në fund të lojës ishte Eron (Mustafë) Ademi i cili nuk e fshehte gëzimin që ekipi i tij i zemrës kishte fituar evropianin. “Unë e dua Spanjën, por më së shumti Villan. Babi ka qenë për Francën, por ajo ka humbur”, thoshte Eroni simpatik, që kishte ardhur nga Gjeneva në pushim.

Mirëpo, megjithatë kishte shumë adhurues të Spanjës, siç thoshin ata vet, për shkak se e duan Barcelonën.

Sidoqoftë, futbolldashësit e Smirës e kaluan një mbrëmje të paharruar dhe të veçantë, duke shikuar për herë të parë ndeshje futbolli në ekran të madh dhe në ambient të hapur, të cilën e organizoi webfaqja arkiva.fshatismire.com bashkë me Qendrën Tregtare “Beni Impex”. Kjo praktikë do të vazhdojë saherë të ketë ndeshje të forta kur nis Euroliga, ose ndonjë ngjarje tjetër interesante.

Leave A Reply