Xhamisë së fshatit Smirë për vetëm 3 orë i është ndërruar pamja. 24 mjeshtër e ndihmës të tyre i kanë fasaduar muret e jashtme në mënyrë vullnetare. Inicuesi i aksionit për renovimin e këtij tempulli fetar, Ismajlhaki Zuka tha për portalin tonë se ka pasur një solidaritet dhe gatishmëri të pashoqe për të ndihmuar këtë projekt.
“Ka qenë hijeshi e madhe t`i shikosh të gjithë ata njerëz të ngjitur në skele duke punuar vullnetarisht. Samiu i Goshicës ka qenë vetë i dhjeti, Shemë Sejfullahu nga Smira vet i gjashti, Saqip Shabiu nga Smira vet i gjashti, plus ka qenë Idriz Aridi dhe një tjetër. Mandej Fadil Misini ka dërguar 700 euro nga Amerika e të tjerë që kanë kontribuar…E kanë kryer shumë shpejt. Kemi filluar në orën 7:00 në mëngjes kurse, ora 10:00 ka qenë gjithçka e kryer”, thotë Ismajlhaki Zuka. Ai i falënderon nga zemra të gjithë këta mjeshtër e ndihmës të tyre, por edhe të tjerët që po japin kontribut pa pagesë. “E gjithë puna deri tashti është bërë pa pagesë. Vetëm materiali është blerë. Ky është shembull i mirë si duhet të kontribuohet për vendlindjen”, thotë ai.
Sipas tij, deri tashti është shtruar oborri me kubëza betoni, janë hequr shkallët brenda dhe janë vendosur të rejat jashtë, janë vënë dritare nga plastika. hydbja që ka qenë në ballë të xhamisë ëshë hequr dhe është bërë një më të vogël në kënd, korridori dhe pjesa hyrëse në xhami është shtruar me pllaka të keramikës. poashtu shkallët e objektit ndihmës janë zhvendosur në anën tjetër, xhamisë i janë hequr llusterët e vjetër dhe është vendosur vetëm një i ri në mes, dhuratë nga Isuf Zuka, kurse në ditët në vijim do të bëhet ngjyrosja e pjesës së brendshme të xhamisë prej dritareve të katit të dytë e poshtë si dhe do të hiqen pjesët e ngritura në pjesën e prapme afër derës së xhamisë, si trapazana që janë dhe ajo pjesë do të nivelizohet me pjesën tjetër të hapësirës për t`u falur.