imerli_sylejmani_1Oborri i Ymerli Sylejmanit është shpallur më i miri në fshatin Smirë, në një konkurs që është organizuar nga portali fshatismire.com. Komisioni në përbërje: Bekim Azizi, administrator i fshatit, Xhelal Shabiu, inspektor komunal  i ambientit, Veton Ademi, agronom, Zeqir Halili, arkitekt dhe Tefik Salihu përfaqësues i

uebfaqes, ka vizituar  familjet që janë paraqitur në konkurs.

Megjithëse kishte oborre të rregulluara me shije, komisioni vendosi të zgjedhë për më të bukurin oborrin e familjes së Ymerli Sylejmanit. Vendin e dytë e ka zënë oborri  i Fevzi Ademit,  kurse të tretin ai  i Enver Qunit.

Paraprakisht janë vendosur disa kritere të përzgjedhjes, siç janë sipërfaqja e oborrit, sipërfaqja e gjelbëruar, mirëmbajtja, elementet dekorative, muri i gjallë, biodiversiteti, idetë atraktive, mbrojtja e ambientit, kostoja etj.

“Oborri i Ymerliut, i përmbushë të gjitha kriteret e komisionit: ka shumë sipërfaqe të gjelbëruara, ka drunj dekorativ, pemë ekzotike, lule, elemente shtesë dekorative siç janë gurët, muri i gjallë, harmonia e bimëve, por edhe është i mirëmbajtur shumë mirë. Një element që është marrë për bazë është fakti se kjo familje  ka disa vite radhazi që e mban oborrin në këtë gjendje. Kjo dëshmon përkushtimin e saj  për ambientin. Edhe oborret tjera që janë paraqitur janë të rregulluar mirë, por disave iu ka munguar ndonjë, element, disa kanë qenë shumë të ngarkuara dhe të përziera, apo disa nuk kanë qenë të mirëmbajtura në momentin e vizitës”, thotë Xhelal Shabiu nga komisioni vlerësues.

Familja Sylejmani ka marrë si shpërblim një kositëse të  barit të prodhimit gjerman, me një vit garancion,  dhuratë nga Barnatorja bujqësore “Agro Pharma”, me pronar  Mcs. Besim Sahiti.  “Është iniciativë e mirë që është marrë nga webfaqja. Unë e kam përkrahur pa hezitim dhe me kënaqësi, sepse ky konkurs i kontribuon motivimit të banorëve të fshatit për t`i kushtuar edhe më shumë rëndësi ambientit dhe sipërfaqeve të gjelbëruara e të rregulluara. Kjo është një praktikë e mirë dhe besoj se duhet të ndiqet edhe në të ardhmen”, ka thënë Msc. Besim Sahiti.

Familja Sylejmani shprehet mirënjohëse  për këtë iniciativë dhe falënderon sponsorin që ka mbështetur këtë aktivitet. Vet Ymerliu tha se meritat kryesore për oborrin i ka bashkëshortja e tij, e cila e përkrahu nismën për të promovuar ambientet e bukura në fshat dhe pastërtinë.

“Është mirë që keni organizuar këtë konkurs. Le të shihet që ka oborre të mira në Smirë, por ndoshta të nxiten edhe të tjerët që nuk kanë, të merren më shumë me ambientin”, thotë bashkëshortja e Imerliut, Safete Sylejmani, e cila kujdeset më së shumti për parkun. Ajo tregon se ka pesë vite që e kanë rregulluar oborrin dhe e mirëmbajnë rregullisht. “Ka shumë punë. Unë për çdo ditë bëj diçka në oborr. Ose i rregulloj lulet, ose murin e gjallë, ose drunjt dekorativ…Një njeri ka punë vazhdimisht këtu. Mirëpo, unë e kam shumë merak dhe gjej kohë për të gjitha. Më së shumti e dua murin e gjallë”, thotë zonja Safete duke na treguar gishtin e madh të dorës së majtë të dëmtuar nga gërshërët nga puna e përditshme në kopsht. Ajo madje, si adhuruese e flaktë e natyrës, propozoi që të organizohen edhe aksione për pastrimin e ambientit në fshat.

Gjatë vizitave nëpër oborre kemi hasur edhe në gjëra interesante, si bimë të veçanta: fik, hibiskus, pjeshkë, gështenjë etj, pastaj paunë, qesme prej druri e deri te një pulë këlloqke në një shelg. Sidoqoftë, ishte kjo një përvojë e mirë për komisionin vlerësues.

Në konkursin për orborrin më të bukur në Smira kanë konkurruar 10 familje.  Konkursi për oborrin më të bukur në Smirë do të bëhet tradicional dhe do të realizohet për çdo vit. 

Kurse fotografitë e oborrit fitues do të qëndrojnë në webfaqen e fshatit gjatë tërë sezonit veror. 

Në vazhdim ju sjellim edhe disa fotografi të oborreve të Fevzi Dikës që ka vendin e dytë dhe të Enver Qunit që ka zënë vendin e tretë.

Leave A Reply