Nxenesit_te_KosmiraTetë nxënës të dalluar në mësime dhe në sjellje, nga klasat e shtata, të teta dhe të nënta, të Shkollës Fillore “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë, u nisën për pushime në Shqipëri. Ata do të jenë mysafirë të Hotelit “KoSmira”, në Golem, me pronar smirasin, Emrush Ferizin. Nxënësit nga Smira do të qëndrojnë atje katër netë dhe nga nikoqiri do ta kenë falas komplet qëndrimin, duke përfshirë fjetjen, ushqimin dhe plazhin.

Nxënësit po i shoqëron sekretari i shkollës Isak Rexhepi. Ai ka thënë se janë përgatitur mirë, para se të nisen në këtë udhëtim, në mënyrë që pushimi të jetë sa më i këndshëm. “Shkolla ka bërë listën e nxënësve vërtetë të dalluar, shembuj për të gjithë. Shembullor në mësime por edhe të sjellshëm. Kemi kërkuar lejen e prindërve dhe i kemi pajisur nxënësit me dokumente personale, në këtë rast me certifikata të lindjes të domosdoshme për ta kaluar kufirin, kurse secilit ia kemi bërë edhe nga një bexh identifikues me fotografi. Udhëtimin po e bëjmë me autobus”, thotë Isak Rexhepi.

Ai porosit prindërit të jenë të qetë, sepse do të ketë kujdes maksimal për nxënësit dhe ata do të kalojnë një pushim të rehatshëm.

Nxënësit që udhëtuan në Golem, ishin shumë të gëzuar për këtë pushim. Ata u shprehën falënderues ndaj Emrush Ferizit dhe familjes së tij, që po i fton në bregdet. Edhe drejtori i shkollës Naim Agushi falënderoi Emrushin për këtë gjest vëllazëror. 

Ndryshe, “Kosmira” për tri vite me radhë ka dërguar falas në det grupe nxënësish të dalluar nga komuna e Vitisë, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, kurse tash e tutje do të ftojë vetëm nxënës nga fshati Smirë.

Leave A Reply