Është gjynah të shkosh mu buzë detit dhe të mos i biesh gjylyt ujit. Mirëpo kur gjen pritje vëllazërore, nuk të pengon asgjë që të kënaqesh. Një grup prej 8 nxënësish të dalluar nga shkolla fillore “Dëshmorët e 5 Prillit’, të Smirës, për
pesë ditë sa qëndruan në Golem të Shqipërisë, nuk e panë diellin me sy. Megjithatë, ata thonë të kenë gjetur ngrohtësi tek kompleksi turistik “KoSmira”, me pronar smirasin Emrush Ferizi. Kjo ua bëri të paharrueshëm pushimin.
Me ftesë të Emrushit, Yllka Salihu, Lindon Misini, Besiana Haliti, Çlirim Agushi, Nazife Hetemi, Eron Ramadani, Saranda Sejdiu e Shqiponjë Hamiti, prej 15 deri më 19 maj 2012, qëndruan falas në kompleksin e tij turistik. Ata i shoqëroi sekretari i shkollës Isak Rexhepi. Kërkesa e Emrushit ishte që të dërgohen nxënës të dalluar dhe mundësisht të moshës më të madhe. Kërkesa i tij u respektua: këtë shpërblim të tij e shijuan nxënës vërtetë të dalluar si në mësime ashtu edhe në sjelle dhe u zgjodhën nga klasat e shtata, të teta dhe të nënta. Kjo vetëm e vetëm që të stimulohen nxënësit për të mësuar sa më shumë.
Nxënësit të entuziazmuar tregojnë të kenë kaluar ditë të veçanta, sepse u kënaqën, u shetitën, luajtën dhe njohën edhe vende por edhe njerëz të ri. “Kemi kaluar shumë-shumë mirë. Kurrë nuk do ta harroj këtë pushim. Ka qenë i veçantë për mua, sepse më ka ardhur edhe si befasi. Tjetër është kur përgatitesh të shkosh diku, tjetër është kur dikush të ofron papritur dhuratë të tillë. E falëndëroj axhin Emrush, Tetën Kadrije, Valdeten, Vjosën dhe krejt personelin që na ka pritur ngrohtë. Të gjitha më kanë pëlqyer, por rëra e imët më ka bërë përshtypje”, thotë Yllka, duke buzëqeshur nga kënaqësia.
Edhe të tjerë nxënës që ishin në Golem, thonë të kenë kaluar siç është më së miri. “Më së shumti më ka lënë përshtypje mikpritja e tyre. Shumë janë kujdesur për ne. Na kanë bërë një pritje speciale mund të them. Sikur të ishim fëmijë të tyre. Na kanë ushqyer mirë, na kanë ofruar akomodim të rehatshëm dhe na kanë shetitur. Psh gjatë qëndrimit tonë atje, kemi qenë në Durrës, në Krujë dhe në Tiranë. Me një fjalë na kanë ofruar diçka që nuk e kishim përjetuar më parë. Unë vetëm kam lexuar për Skënderbeun dhe bëmat e tij, si dhe për Krujën, por kur isha vet aty, e pashë se është vërtetë diçka madhështore. Kjo është dhuratë e paharrueshme për mua nga axhi Emrush”, thotë Lindon Misinii, duke u shprehur mirënjohës ndaj “Kosmirës” për gjithë atë që bëri për ta.
Shoqëruesi i nxënësve në Golem, Isak Rexhepi, shprehet me fjalë miradie për këtë ushëtim dhe pushim. “Gjithçka ka qenë në niveln më të lartë. Vet ftesa e tij na ka lënë pa fjalë. Jemi kënaqur. Kemi kaluar mirë edhe rrugës edhe atje me Emrushin dhe familjarët e tij si dhe personelin e hoteli. BIle edhe kusheriri i tij, Ismet Ferizi, ka ardhur të na vizitojët”, thotë Isak Rexhepi.
Drejtori i shkollës fillore “Naim Agushi”, është poaq i kënaqur për këtë gjest të familjes Ferizi. Ai personalisht në prezencën tonë thirri me telefon tek “Kosmira”, për t`u falënderuar në emër të shkollës, të arsimtarëve, të nxënësve dhe të prindërve. “Jemi vërtetë mirënjohës për këtë. Nxënësit na kanë treguar se kanë kaluar për mrekulli tek ju. Ju, iu keni ofruar kënaqësi të rrallë dhe i keni bërë të ndihen mirë. Ky gjest i juaj ka bërë jehonë edhe në fshat. Të gjithë e komentojnë për të mirë këtë respekt tuajin për shkollën dhe fshatin në përgjithësi. Ju dëshirojmë suksese dhe punë të mbarë”, i thotë drejtori Agushi bashkëshortes së Emrushit-Kadrijes, sepse Emrushi nuk kishte qëlluar aty. Drejtori Agushi tregon se Emrushi i kishte dërguar edhe disa dhurata shkollës.
Edhe punonjësit e shkollës e komentojnë me respekt e admirim mes vete gjestin e “Kosmirës”. “Nxënësit treguan se Ishin kënaqur shumë. Jo vetëm që u ka ofruar qëndrimin komplet falas me ushqim me fjetje, por Emrushi edhe i ka shetitur si dhe ju ka mbuluar harxhimet e udhëtimit prej Vitisë në Golem dhe anasjelltas”, thotë mësimdhënësi Mustafë Hamiti.
Emrush Ferizi i tha portalit tonë përmes telefonit se është i lumtur që ka pasur mundësi të nderojë nxënës të mirë të vendlindjes së tij. Tha se ka kaluar mirë me ta dhe kanë qenë të sjellshëm atje. “Jam kënaqur edhe unë me ta. Ishin nxënës inteligjent, të sjellshëm dhe të shoqërueshëm. E kanë merituar pushimin”, thotë Emrushi. Ndryshe, “Kosmira” për tri vite me radhë ka dërguar falas në det grupe nxënësish të dalluar nga komuna e Vitisë, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, kurse tash e tutje do të ftojë vetëm nxënës nga fshati Smirë.