Ndryshe, Smira dhe Gërmova kanë ngritur nismën për kthimin e eshtrave në vendlindje të tre dëshmorëve të Luftës së Sojevës më 1912, Xukë Xuka e Bajram Ahmeti nga Smira dhe Sahit Gorani nga Gërmova. Këta tre atdhetarë, ranë heroikisht në luftë kundër njësive ushtarake serbe në vendin e quajtur Roga, midis Ferizajt dhe Sojevës, ku edhe janë varrosur nga banorët lokalë në një varr të përbashkët, në një arë-pronë private. Xuka, Bajrami e Sahiti, së bashku edhe me luftëtarë të tjerë nga Anamorava kishin shkuar në Sojevë për t`iu kundërvënë Ushtrisë serbe që po bënte masakra në Ferizaj dhe që pretendonte të vazhdonte më tutje drejt fshatrave tjera, siç edhe ndodhi në Sojevë, pastaj në Smirë, Kabash e Lubishtë. Koordinatori i këtij projekti, Isuf Zuka, nga Smira, tha sot se planifikohet që këta tre dëshmorë të kësaj lufte, të zhvarrosen dhe të rivarrosen në trekëndëshin e rrugës Smirë-Ferizaj, pranë varrezave të fshatit Gërmovë, ku edhe do t`u ngritet një lapidar. Sipas tij, është përzgjedhur edhe një opsion se si do të duket monumenti. Përmbajtjen e tij Zuka e ka shpjeguar në këtë mënyrë:
1. Është konstrukcion i çelikut- paraqet fuqinë e çeliktë që kishin për luftë.
2. Janë tri harqe të lidhura mes vete-paraqet besën që thuhet se kanë lidhur mes vete për luftë deri në vdekje. Dhe të tre janë varrosur në një varr të përbashkët në një arë.
3. Konstrukcioni është në formë të plisit.
4. Paraqet lindjen e diellit para 100 viteve kur filloi lufta kundër serbëve për lirim të trojeve shqiptare pas tërheqjes së Osmanëve.
Ai tha se shumë shpejt do të fillojnë edhe punimet për zhvarrim si dhe ngritjen e lapidarit. Njëherit do të dihen edhe investimet e përafërta që do të bëhen. Kurse do te hapet edhe llogaria bankare për ata që duan ta ndihmojnë një projekt të tillë kombëtar.