Smira ka nisur përgatitjet për emërtimin e rrugëve të fshatit. Një komision i fshatit ëshë mbeldhur në takimin e parë publik, për këtë çështje dhe ka diskutuar për kriteret dhe format se si do të kryhet ky proces, i cili u konsiderua mjaft me rëndësi për komunitetin.

Sipas administratorit të fshatit, Bekim Azizi, me vendim të Kuvendit Komunal të Vitisë është kërkuar formimi i komisioneve nëpër emërtimin e rrugëve nëpër fshatra. “Në bazë të informatave që kam, të gjitha fshatrat tashmë e kanë kryer këtë obligim, përveç Smirës dhe Lubishtës. Unë jam takuar me njerëz të profileve dhe moshave të ndryshme në fshat për të biseduar dhe për t`u konsultuar se çfarë emrash mund të përfshijmë në listë. Këtu mund të hyjnë emra të dëshmorëve, veprimtarëve të çështjes kombëtare, data e ngjarje historike, personalitete të shquara të historisë, kulturës etj”, tha Bekim Azizi. Ai tregoi për disa propozime konkrete që i kanë bërë banorët si psh: Të përfshihen emrat e katër dëshmorëve dhe dy viktimave të luftës së fundit dhe emrat e të rënëve në luftë në periudha të ndryshme të historisë. Pati propozime që rrugët të marrin vetëm emrat e atyre që kanë rënë drejtëpërdrejtë në luftime, por jo edhe emra të viktimave të luftës, mandej që disa emra tradicionalë tashmë të ruhen, si psh. rruga e Shkupit, pastaj rrugët të emërtohen me emrat e njerëzve që kanë lindur ose që kanë jetuar në ato lagje.

Pati edhe kundërshtime, pasi përfaqësuesit e disa lagjeve pretendonin se lagjet e tyre tashmë i kanë emërtuar vet dhe i kanë emrat e tyre. Poashtu, diskutime pati edhe rreth përfshirjes së të rënëve në Luftën e Dytë Botërore, në listën e emrave që mund të marrin rrugët tona. Kishte propozime që ata të mos merren parasysh, me pretendimin sekanë luftuar për ideologji e jo për atdhe. Mirëpo, pati edhe mendime se kjo periudhë nuk bën të kalohet, sepse shqiptarët në atë kohë kanë luftuar për të çliruar trojet dhe për t`u bashkuar me Shqipërinë, por pasi u tradhtuan vendi mbeti në Jugosllavi. Pas gati tri orë diskutimesh të pranishmit arrritën të propozojnë emrat e 20 rrugëve të fshatit. Për 16 prej tyre u propozua të mbajnë emra të dëshmorëve e atdhetarëve, kurse 4 ishin propozime tjera si: 5 Prilli, Rruga e Shkupit, Rruga e UÇK-së dhe 17 Shkurti. Procesi për emërtimin e rrugëve të fshatit Smirë duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji. Pastaj emrat e propozuar nga komisioni, do të miratohen në Kuvendin Komunal të Vitisë dhe do të zyrtarizohen.

Leave A Reply