rruga_smire-kabashSmirasit kanë nisur konsultimet për realizimin e projektit për asfaltimin e rrugës Smirë-Viti (nga varrezat e dëshmoërve në Viti). Për të qenë sa më të përgatitur për këtë, në Smirë mbrëmë është mbajtur një takim me përfaqësues të fshatit. Të pranishmit u njoftuan me ecurinë e zhvillimeve në këtë drejtim dhe me vet projektin. Projektuesi i planit, ing. Flamur Hajrullahu, njoftoi se ndërtimi i kësaj rruge, të gjatë 1340 metra, do të kushtojë 154.000 euro.

“Ky projekt ekziston prej vitit 2003. Që nga atëherë e kemi dorëzuar në secilën qeveri lokale që ka ardhur, por vetëm sivjet është futur në buxhetin komunal. Komuna për këtë qëllim, nga të hyrat vetanake, i ka dedikuar 112.500 euro, kurse pjesën tjetër, që i bie 37.500 euro, duhet ta japë fshati, sepse ky është kriter i të gjtiha projekteve që realizohen nga institucionet vendore, por edhe nga donatorët e huaj”, ka thënë Flamuri.

Ai ka thënë se fshati duhet të organizohet dhe të marrë pjesë me shumën që i takon me kritere, sepse është projekt i rëndësishëm.

“Është mirë të jemi në hap dhe ta kryejmë obligimin tonë, sepse nëse nuk e bëjmë këtë, komuna e tërheq projektin dhe e dërgon në një fshat tjetër. Si opsion të dytë e ka rrugën Vërbovc-Podgorc. Prandaj duhet të kemi kujdes dhe të veprojmë shpejt”, u shpreh Flamur Harjullahu. Sipas projektit, rruga Smirë-Viti, do të jetë 5 metra e gjerë, do të ketë 2 shtresa (7+5 cm) dhe do të ketë bankina, plus vijat. Administratori i fshatit Bekim Azizi, u shpreh i gatshëm që të punojë në organizimin e fshatit për të kontribuar në mënyrë që projekti të kalojë.

“Ky është projekt i rëndësishëm për fshatin dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Shumë shpejt do të fillojmë punën dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që të kryejmë obligimin tonë. Do të bisedoj edhe me strukturat udhëheqëse të komunës për këtë dhe besoj se punët do të shkojnë mbarë. Gjithçka që është filluar në fshat edhe është përfunduar”, tha Bekim Azizi.

Ing.Flamuri njoftoi poashtu se nëse fshati nuk zotohet t`i mbledhë 37500 euro, atëherë ekziston opsioni i dytë i projektit. Për këtë fshati duhet t`i mbledhë 15 mijë euro, kurse rruga do të jetë gjysmë metri më e ngushtë dhe do të ketë vetëm një shtresë, që do të thotë se nuk është mjaft kualitative. Sidoqoftë, ai tha se gjatë javës së ardhshme fshati duhet të përcaktohet për njërin opsion dhe t`i japim përgjigje komunës.

Hartuesi i planit ing. Flamur Hajrullahu, në arsyetimet e projektit për asfaltimin e rrugës Smirë-Viti, ka cekur rëndësinë në asketin social, ekonomik, zhvillimor, kulturor etj. Mundësinë e lidhjes më të shpejtë me Vitinë dhe fshatrat në atë pjesë si Kabashi, Binça, Kërbliqi etj. Rruga kalon afër Varrezave të Dëshmorëve në Viti, kështu që u jep atyre rëndësinë që kanë. Rruga dot ë shërbejë edhe për furnizim më të shpejtë të banorëve me gjëra ushqimore dhe mallëra të tjera. Poashtu shërben si mundësi për lidhje më Vitinë, në rast të bllokimit të rrugës kryesore të fshatit.

Të pranishmit u pajtuan që të fillojnë menjëherë aktivitetet për mobilizimin e fshatit për të vazhduar bisedat dhe punën për të realizuar projektin. Ata u morën vesh që në ditët në vazhdim të takohen prapë. Për këtë qëllim u bë edhe një listë e personave që do të thirren në takim.

Leave A Reply