berllog_ne_vendin_dubrava_320x200Fatmir Ramadani nga Smira nuk kishte mundur të hynte, të dielën, në arën e tij në vendin e quajtur Dubravë, në rrugën Smirë-Viti, pak pa mbërri tek varrezat e Dëshmorëve në Viti, për shkak të bërllokut të madh që është hedhur. Aty skaj rrugës është krijuar një deponi e egër, e gjatë mbi 100 metra, me bërllok nga më i ndryshmi.

 

Mbeturina të ngurta, material ndërtimor, goma, plastika, rroba të vjetra, hekura, mbeturina të ushqimit, e çka jo tjetër nuk ka aty. “Këtu është tmerr i vërtetë. Tash u ktheva se nuk munda me hy në arë. Ma kanë bllokuar rrugën. Këtu i kemi 1 hektarë tokë. Shiko sa bërllok ka këtu”, thotë Fatmiri i mllefosur.

Ai tregon se ka lajmëruar dy herë në komunë, por zgjidhje nuk është bërë akoma. “Dikush e ka rrafshuar bërllokun dhe komuna i ka vendosur shiritat, si vërejtje për të mos hedhur më aty bërllokun. Mirëpo, njerëzit e pandërgjegjshëm prapë kanë vazhduar ta gjuajnë bërllokun këtu”, thotë Fatmiri.

Edhe Inspekorati komunal është i njoftuar me ekzistimin e kësaj deponie dhe e kanë evitentuar si me prioritet. “Kjo deponi është krijuar më herët dhe e kemi në prioritet për ta hequr. Tashti më 22 prill do të kemi aksione për pastrimin e ambientit. Gjithashtu edhe maji është shpallur muaj i ambientit, kështu që kjo deponi do të largohet përfundimisht. Ne jemi duke e përcjellur vazhdimisht, por nuk kemi hasur askënd duke hedhur mbeturina. Përndryshe dihet se sipas ligjit ata mund të dënohen edhe deri 500 euro për këtë veprim”, thotë inspektori komunal i ambientit, Xhelal Shabiu.

Leave A Reply