Smirasit_duke_i_ngjitur_ne_Bjeshkallave_320x200Vikendi i fundit i janarit, me borë, i gjeti smirasit duke shijuar bukuritë e Bjeshkallavës. Shumë banorë, fëmijë e të rritur,  nga të gjitha moshat, prej 4 deri në 64 vjeç, kishin dalë në ajër të pastër, sekush për të rrëshqitur me saja e me ski, 
sekush për të shetitur, apo shijuar këtë atmosferë të ngrohtë,

 

edhe pse bënte ngapak të ftohtë. Enit (Gazmend) Bajrami, vetëm 10 vjeç,  po lëshohej  si “shigjeta” me ski, nga maja e Bjeshkallavës. Ai është skijatori më i ri nga  grupi prej disa dhjetëra të rinjsh që lëshohen nga pika më e lartë e shtegut. “Njëherë jam lëshuar nga gjysma e shtegut, pastaj kam filluar edhe prej majës. Është ndjenjë  e mirë. Kënaqem dhe nuk frikohem fare”, thotë Eniti. 

 Guximin e tij në këtë moshë e veçonin edhe të tjerët, Granit Bajrami, Bledian Ramadani, Valdrin Sylejmani, Edon Shabani, Adhurim Bajram etj, të cilët thonin se Eniti nuk është rrëzuarasnjëherë. E Flakron Haliti me shokë, ngjitej  edhe më lartë. “Po shkojmë të lëshohemi nga Ara e Rexhës. I bëjmë më shumë se gjysmë ore rrugë përpjetë. E kemi shkelur shtegun me shtatë shokë të mi”, thoshte Flakroni. 

Bjeshkallava ishte shndërruar të dielën në vend  të vërtetë argëtimi e rekreacioni. Disa lëshoheshin teposhtë, disa të tjerë ngjiteshin përpjetë. Aty takuam edhe Izet Zukën, 64 vjeç, duke ecur. Ai thoshte se ky vend i përshtatshëm për sporte dimërore iu ka shërbyer smirasve me gjenerata e gjenerata.

“Edhe unë kur kam qenë i vogël kam rrëshqitur mu në këtë vend. Atëherë rrëshqisnim me saja të drurit ose me një dru si ski, që e kishte një tel përfundi. Bile edhe babai im, i lindur në vitin 1912, thoshte se kanë rrëshqitur këtu”, thoshte xha Izeti, teksa iu bashkua një grupi që po ia mësyente Arës së Hanës. Më herët nga atje ishin ngjitur edhe disa të tjerë, të cilët na treguan  se shtegu është i shkelur, ka gjurmë të nerëzve që kanë qarkulluar. Sipas tyre, në atë pjesë bora arrinë trashësinë edhe deri në 70 cm. Arton Ramadani, Nezir Sylejmani e Fatlum Hyseni poashtu ishin aty, por nuk skijonin. Thanë se sot kanë dalur të ecin. Përndryshe, dalin shpesh, sidomos vikendeve.

Takuam edhe Emrush Azizin, Isuf e Izer Zukën, Izet Ramadanin, Bushat Zukën, Avni Fejzullahun, Zylfi Zukën  e plotë të tjerë, që ndërroheshin vazhdimisht-disa ktheheshin në shtëpi, disa të tjerë dilnin lar si Rifat Hyseni e Valdrin Sylejmani, të cilët thonin se ngjiten mbi dhjetë herë në ditë, derisa të lodhen. 

 

Kjo atmosferë ka kohë që është bërë si traditë. Mirëpo kishte mendime se ky vend  që na i ka dhuruar natyra ka nevojë edhe për dorën e njeriut. “Është mirë që shtegu të zgjerohet dhe të rregullohet, sepse nga këtu mund të dalin edhe kampionë të skijimit. Është ngushtë sidomos pjesa e rrugës përreth varrezave. Mirëpo, përveç shtegut që do të shërbejë për rrëshqitje gjatë dimrit, është mirë të mendohet që të rregullohet  edhe rruga prej Hasan Bajramit që qon te Mrizet e Lopëve, kah Gurra dhe del në Rrafsh të Vneshtave.  Kjo unazë do të na shërbente edhe verës për shetitje sepse përreth lumit ka freski”, thoshte Ismajlhaki Zuka. Me këtë pajtoheshin edhe të tjerët që ishin pjesë e kësaj bisede: Bashkim Hasani, Ardian Ramadani e Jakup Demiri. Ky i fundit bile thoshte se ka marrë edhe premtime  nga disa banorë se do të kontribuojnë me mjete financiare për të realizuar këtë ide.  

Rastin në këtë atsmoferë të mirë, po e shfrytëzonte edhe ndonjë i rritur, si Ibush Ramadani që po lëshohej me sajë bashkë me të birin e tij-Artin. Aty ishin edhe plot vajza që po kënaqeshin: Diella, Vlera, Isra, Dafina, Anita, Leonora, Vesa, Jetlira, Leonita,  Elsa e vogël, vetëm 4 vjeç etj. 

 

Morëm vesh se atmosferë e mirë dimërore po mbretëronte të dielën edhe në anën tjetër të Smirës, në Lagjen Aliaj, te vendi i quajtur Te Goliajt. Portali ynë do të shkojë edhe atje një ditë. /fshatismire.com/

Leave A Reply