policet_e_shtrire_2_320x200Pengesat, apo siç quhen ndryshe “Policët e shtrirë”, që janë vendosur në rrugën kryesore të fshatit Smirë, si duket i kanë rehatuar në një masë shoferët  që e kanë merak vozitjen e shpejtë. Me vendim të Drejtorisë  komunale të  Inspektoratit në Viti, prej Drobeshit deri në qendër të Smirës,

 

janë fiksuar 3 pengesa të tilla, me qëllim parandalimin e vozitjes së shpejtë. Pas asfaltimit dhe zgjerimit të rrugës, vitin  e kaluar,  shoferët u joshën që t`iu japin më shumë automjeteve.  Mirëpo, ky vendim i autoriteteve kompetente, që ka ndryshuar  qarkullimin në këtë aks rrugor, ka ngjallur debate në fshat. Disa, e kanë mirëpritur vendosjen e pengesave.
“Për mua është OK. Mirë ia kanë bërë me këtë, sepse më mirë është të prishet pak vetura ose të humbin  pak më shumë kohë duke u ndalur te çdo pengesë se sa të pësojë ndonjë fëmijë, siç ka ndodhur më herët”, thotë profesori Tajar Hyseni. I  të njëjtit mendim  është edhe MIftar Misini. “Shumë mirë është. Unë për vete edhe ashtu nuk kam vozitur shpejt dhe nuk më pengon fare. E ata që kanë merak me shku 70-80 km në orë nëpër fshat, normal që tash ankohen. Ky është ‘ilaç’ i mirë për ta”, shprehet Miftari. 

Por, ka edhe të atillë që iu pengon vendosja e “Policëve të shtrirë” në rrugën kryesore të Smirës.
“Nuk ma merr mendja që kjo është zgjidhje e duhur. Kësi pengesa ka vetëm në zonat ushtarake ose kufitare. Le të dalin policët më shpesh dhe le të gjobisin ata që shkojnë shpejtë”, thotë Ismajl Jahiu.
Edhe Arijeta Ahmeti thotë se këto pengesa apo siç po i quajmë “trapa”, nuk po i pëlqejnë,  sepse sipas saj,  e pengojnë rrjedhën normale të lëvizjes. “Normal që na pengojnë, sepse sa po e merr një shpejtësi normale, pas disa metrave duhesh prapë të ndalesh dhe të nisesh me shpejtësinë e parë”, thotë Arijeta.
As shoferi i autobusit Sejdi Berisha nuk e përkrah këtë vendim të komunës. “Shumë keq është, sidomos për autobusët. Paramendojeni autobusin me 15 mijë kilogram, pa udhëtarë, të kalojë mbi këtë pengesë. E dëmton shumë automjetin, plus humbi kohë më shumë, kurse duhet të bart 40 apo 50 udhëtarë. Po, çka me ba, ashtu kanë vendosur. Ndoshta edhe një ditë do t`i largojnë”, thotë Sejdiu. 

Inspektori komunal i komunikacionit, Bushat Zuka, thotë se vendimi është marrë pas kërkesës së Këshillit të fshatit. “Pengesat i ka vendosur Inspektorati komunal, pas kërkesës së udhëheqësisë së fshatit, për të shtuar kujdesin ndaj këmbësorëve edhe pse pas vendosjes së trotuareve këmbësorët kanë qenë më të sigurtë dhe më pak të rrezikuar. Këto pengesa janë të përkohshme dhe në një të ardhme mund edhe të largohen me ndonjë vendim të ri të autoriteteve gjegjëse”, thotë inspektori Zuka.

Në muajin prill, Rr. Azizi, 6-vjeç, nga fshati Smirë, kishte thyer njërën këmbë dhe kishte marrë lëndime në kokë, në një aksident trafiku në rrugën kryesore, para shtëpisë së tij, përballë auto-mekanikut “Zeka”. Kurse, dy javë më vonë, tre veta u lënduan në një aksident tjetër, te varrezat e fshatit.

 

 

Leave A Reply