varrimi_i_shpendit_kolona_320x200Qindra njerëz i dhanë, sot pasdite, lamtumirën e fundit Shpend (Isak) Halitit, nga Smira, i cili humbi jetën  para dy jave në Itali. Njëzetekatërvjeçari u varros në vendlindjen e tij, me nderime të larta nga familjarë, të afërm, bashkëfshatarë e miq të shumtë, që nuk i mbante toka.

 Dhimbja për të është e madhe dhe e papërshkrueshme-të copton zemrën dhe ta trazon shpirtin, deri në padurueshmëri. Ceremonia e varrimit ishte e heshtur dhe e rëndë, mu si vdekja e tij. Të pranishmit, kokulur, të shtangur, të thelluar në mendime, përbiheshin për humbjen e Shpendit tonë. Asnjë fjalë. Sikur askush nuk dëshironte të besonte se ai po ikën, në kohën më të mirë, mu kur filloi të shijonte jetën dhe sapo iu  bëj krah familjes.

Familjarët mundoheshin ta mbanin qëndrimin përpara njerëzve që kishin ardhur t`i bënin Shpendit nderimet e fundit. I ati i tij, Isak Haliti, u jepte gajret fëmijëve të tij dhe të tjerëve, të cilët nuk i ndalnin dot lotët. “E kemi shumë vështirë. Na ka djegur shpirtin. Por, kështu ka thënë Zoti dhe kështu është përcaktuar, që ne të jetojmë pa te. Ne duhet të vazhdojmë tutje. Kështu është. Jeta i ka rregullat e veta”, thoshte  Baca Isak.

Të gjithë ishin të pikëlluar. Rrallë ndokush që nxjerrte ndonjë fjalë nga goja. Vetëm ngushëlloheshin duke u përfaquar dhe qarë për Shpendin. Fqinji i tij, Leutrim Misini nuk i përmbante lotët për shokun e tij. “Nuk po mund ta paramendoj se Shpendi ka shkuar përgjithmonë. Para një muaji kur ishte në pushim, më thirri për kafe”, kujtonte Leutrimi me lot në sy, takimin e fundit me Shpendin.

Lajmi për vdekjen e Shpend Halitit i preku thellë edhe kusherinjtë, të afërmit dhe bashkëfshatarët tanë në Smirë e gjetiu, por edhe në diasporë. Në faqen tonë të internetit kanë ardhur mbi 100 letra ngushëllimi e mbështetje për familjen Haliti. “Nuk ka fjalë që mund ta përshkruaj zbrazëtirën qe na e le pas, e nuk ka as lot që mund ta shuajnë dhembjen në zemrat tona. Vëlla më fal për lotët!!! Do të na mungosh gjithmonë”, ka shkruar Shkodrane Beqiri. “Vështirë qenka me shkru për djalin, vëllaun, shokun, nipin, Shpend Halitin, që na e mori Zoti dhe na la përgjithmonë në vuajtje për të, por emrin SHPEND s`do ta harrojmë”, ka shkruar Kaltrina Luzha. “Jetojmë me dhembje që të humbëm, por krenarë që të patëm. Malli dhe kujtimi për ty nuk do të shuhen kurrë. Ti do të jetosh gjithmonë në zemrat tona”, ka thënë Leutrim Pajaziti. Ramadan Rrahmani ka shkruar se është vështirë të gjindet fjalë për të shprehur dhimbjen që po e përjetojmë me rastin e humbjes së vëllaut tonë Shpendit.

Komente të mira për Shpendin ka shkruar edhe Xhevxhet Ademi nga Lubishta, një shok i tij i shkollës. “Shumë u mërzita kur kuptova lajmin për vdekjen e Shpendit, se e kam pas shok të gjeneratës. Ishte djalë i qetë dhe i sjellshëm”, ka shkruar Xhevxheti. Ngushëllime e mbështetje familjes Haliti, me rastin e vdekjes së Shpendit kanë dërguar përmes faqes së internetit edhe shumë të tjerë, si: Fatmir Azemi, Besim Pajaziti, Misin Misini, Xhavit Salihu, Fadil Ademi, Agim Avdiu, Arbin Hasani, Raif Ramadani, Arben Gabrrica, Hebib Rexhepi….etj

Shpend Haliti, ndërroi jetë më 17 shtator 2011, në Spitalin e Romës, nga lëndimet e rënda trupore, më 12 shtator 2011, në një zjarr që kishte shpërthyer në fermën e pulave ku punonte, në Arcevia, afër Ankonës. Ai kishte shkuar në Itali para pesë vjetësh.

Leave A Reply