DEBATI_SMIRE_320x200Drejtoria për buxhet dhe Financa në Viti, në mbështetje të projektit Zvicër – Kosovë për qeverisje lokale dhe decentralizim – LOGOS dhe misionit të OSBE-së, me qëllim të ngritjes së transparencës  dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në planifikimin e buxhetit për vitin 2012, është duke zhvilluar një seri takimesh me qytetarë nëpër lokalitete të ndryshme të Komunës së Vitisë.

 

 

Krahas takimit publik në Viti, për këtë qëllim drejtoria për buxhet dhe financa , ka organizuar edhe takimet publike në fshatrat Pozheran dhe Smirë, ku qytetarët e këtyre lokaliteteve janë njoftuar për procesin e planifikimit të buxhetit komunal dhe projektet më me prioritet që komuna planifikon ti realizoi në këto lokalitete.
Avdyl Bajrami, nënkryetar i komunës ka thënë se falë mbështetjes që është duke dhënë projekti i qeverisë zvicerane LOGOS dhe OSBE, komuna po bënë më transparente procesin e planifikimit të buxhetit duke involvuar edhe qytetarët në përcaktimin e prioriteteve për investime në lokalitet e tyre.
Kurse Islam Jashari, drejtor për buxhet dhe financa, ka theksuar se komuna e Vitisë për vitin 2012, ka planifikuar një buxhet prej 8 milionë e 650 mijë euro dhe në kuadër të këtij buxheti janë të parapara 1 milion e 725 mijë euro për investime kapitale dhe 100 mijë euro për subvencionime në bujqësi, kulturë, ndihma sociale dhe arsim. 
“Nga buxheti i planifikuar për investime kapitale si dhe nga kodi për subvencione, komuna do të mundohet që të realizoi projekte në të mirë të qytetarëve si dhe të ofroi mbështetje për iniciativa të ndryshme që vijnë nga qytetarët, prandaj këto takime janë një rast i mirë që qytetarët të përcaktojnë prioritetet e tyre në mënyrë që ato të planifikohen para se buxheti të aprovohet në kuvend”, ka thënë Jashari.
Kurse në Smirë Jashari ka thënë se është planifikuar asfaltimi i rrugës  Varrezat e Dëshmorëve nw Viti– Smirë. Qytetarët e Smirës, si projekte prioritare për ta kanë nxjerrë kanalizmin dhe ujësjellësin në fshat. Feriz Ahmeti dhe Muhamet Maliqi, kanë vlerësuar se më se i domsodoshëm për këtë lokalitet është rrjeti i kanalizimit. Sylejman Shabiu, ka kërkuar që të rregullohet ujësjellësi, pasi ka lagje që me autocisterna furnizohen me ujë. Ndërsa Naim Agushi, ka kërkuar që si prioritet të hyjë edhe rregullimi i ngrohjes qendrore për shkollë.  Izet Sylejmani ka shprehur interesimin për më shumë investime në kulturë dhe sport.
Drejtori i buxhetit, Islam Jashari duke ju përgjigjur këtyre interesimeve për qytetarë është shprehur se buxheti i limituar i komunës nuk mund të përmbushë gjithë nevojat e qytetarëve. Por me participim të qytetarëve në projekte dhe me ndihmën e donatorëve të ndryshëm edhe këto kërkesa të qytetarëve mund të realizohen në një të ardhme të afërt. Ndërsa përfaqësuesit e projektit LOGOS ka theksuar se ky projekt krahas mbështetjes profesionale që i jep komunës së Vitisë në planifikimin e buxhetit dhe në sfera tjera mbështet edhe projektet e infrastrukturës që mund të dalin si prioritet nga qytetarët. “Projekti LOGOS, që tani është në fazën e dytë të implementimit në Kosovë, mbështet edhe projekte të infrastrukturës që përcaktohen si prioritete nga qytetarët”, është shprehur Mentor Rexhepi, zyrtar i lartë i projektit LOGOS në Kosovë.

Leave A Reply