Projekti është inicuar nga përfaqësuesit e Lagjes së Re, banorëve të Lagjes Aliaj që kanë prona aty dhe Drejtoria komunale e Bujqësisë në Viti, kurse financohet nga komuna.
“Po bëhet hapja e rrugës 2 kilometërshe, po largohen shkurret që janë krijuar me vite të tëra, pastaj po bëhet rrafshimi i sipërfaqes dhe hedhja e zhavorit në gjerësi 4 m. Kjo rrugë është e destinuar për ndihmë bujqve në mënyrë që të kenë qasje në pronat e tyre dhe t`i punojnë arat më lirshëm, sepse deri tashti një sipërfaqe e madhe e tokës ka qenë e bllokuar dhe bujqit kanë kaluar nëpër pronat e njëri-tjetrit për të punuar dhe bartuar bereqetin. Pojekti është paraparë të kushtojë 7100 euro, por në disa vende rruga është shumë e dëmtuar dhe janë dashur intervenime shtesë”, tha mbikëqyrësi i projektit ing. Rafiz Shabiu.
Njëri nga pronarët që kanë toka në atë pjesë Naim Sejdiu, thotë se ky është një korridor shumë i rëndësishëm që po hapet.
“Këtu ka qenë e pamundur të kalohet, si xhungël ishte bërë. Lirisht mund të quhet rruga e bukës, sepse ju e dini që pjesa më e madhe e famijeve të Lagjes Aliaj i kanë arat e punueshme në këtë pjesë, gati 100 hektarë janë këtu. Kurse ka mbi 20 vite që rruga ka qenë e pakalueshme dhe të gjithë kanë kaluar nga kanë mundur. Tash nuk ka nevojë të dëmtojmë arat e njëri-tjetrit. Mund të vijmë edhe me vetura luksoze në ara. I jemi falënderues komunës që e ka financuar këtë projekt shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm për komunitetin”, thotë Naimi.
“Ky është vazhdim i aksionit të mehershëm në këtë rrugë. Kur është shtruar rruga kryesore e fshatit me asfalt, unë kam pasur informacione më herët dhe falë edhe Mentor Ibishit e kemi marrë asfaltin e vjetër dhe e kemi shtruar në këtë rrugë, ia kemi bërë bazën, jo në krejt gjatësinë sepse një pjesë të asfaltit e kanë marrë disa fshatarë për qëllime private. Tashti aksioni po shkon mbarë, rruga është duke u shtruar mirë, nuk kemi probleme dhe nuk besoj se do të ketë. Rruga është duke u zgjeruar 7 metra dhe është duke u shtruar me zhavor 4 metra. Poashtu në disa vende do të vendosen edhe gypa për përcjelljen e ujit atmosferik”, tregon Nexhati.
Pjesa më e madhe e rrugës është kryer, kurse punimet do të zgjasin edhe disa ditë.