Musa_Sejdiu_320x200Profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, nga fshati Smirë, Musa Sejdiu,  për mbi katër decenie, bëri profesionin fisnik të shpërndarjes së dijes, me plot vullnet e entuziazëm. Ai  përmbylli me sukses  karrierën e bujshme, 44-vjeçare, në funksion të arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të reja.  

 

-Arsimtari Musa, thotë  për portalin tonë  se nuk pendohet që ka zgjedhur këtë punë, por përkundrazi-e ka bërë me përkushtim të madh.
“Kur i pata  treguar babës se  jam regjistruar në shkollën për t`u përgatitur për mësues, më pati thënë se do të kisha mundur të zgjidhja ndonjë profesion me të cilin do të kisha fituar më shumë. Ndoshta edhe ka pasur të drejtë, por unë kurrë, në asnjë moment, nuk jam hamendur.  Është e vërtetë se, në periudha të caktuara, nuk kemi marrë kompensimin e duhur për punën që kemi bërë, por dashuria për profesionin e ka plotësuar krejt atë mungesë”, thotë arsimtari Musa.
-Teksa shkëput copëza kujtimi nga rrugëtimi i gjatë prej punëtori të arsimit, ai tregon se ka pasur përkushtim për shkollën dhe punën me nxënës.
“Më duket se gjeneratat e mëhershme kanë qenë më të suksesshme. Ata që kanë kaluar nëpër Shkollën normale në përgjithësi kanë qenë të përgatitur. Është mësuar shumë mirë metodika. Përveç tjerash, tri vite kemi mësuar si të mbahet ditari, si të mbahet qëndrimi, si të krijohet raporti me nxënës dhe si të zhvillohet ora. Gjithmonë kemi qenë të afërt me nxënës. Mirëpo, kemi qenë edhe principiel dhe ka pasur disiplinë. Edhe vlerësimi i nxënësve është bërë real”, thotë ai.
-Pas të gjithave që kanë kaluar, ndihet i lumtur që ka pasur mundësi të jetë në shërbim të shpërndarjes së diturisë në fshat. 
” Unë e kam pasur obligim shoqëror të bëj punën si duhet. Kurrë nuk jam zhgënjyer, por kam punuar pa përtesë. Gjithmonë në shkollë kam shkuar me plan dhe  përgatitje me shkrim për ta zhvilluar orën.  Jam munduar të jap maksimumin nga vetja. Nuk besoj se i kam mbetur borxh asnjë gjenerate. Por, të gjithëve ua bëj hallall mundin”, thotë arsimtari Musa. 
-Njëri nga ish-nxënësit e arsimtarit Musa, nga gjeneratat e para që u ka dhënë mësim, Xhelal Shabiu,  e kujton me respekt punën e tij.
 “Arsimtari Musa më ka dhënë mësim dy vite, nëse nuk gaboj, më 1968 dhe 1969. Ka qenë shumë atraktiv dhe serioz. Ka punuar shumë dhe ka qenë i përkushtuar. Me të njëjtin vullnet ka vazhduar  të edukojë edhe brezat e ardhshëm për vite e vite.  Jam krenar që kemi pasur një arsimtar  të tillë. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin e fshatit. E falënderoj për mundin dhe djersën që ka derdhur për ne”, thotë Xhelali.
-Arsimtari Izet Sylejmani, poashtu e vlerëson me fjalë miradije kolegun e tij, me të cilin ka kaluar shumë vite bashkë në punë.
“Musa është profesionist i vërtetë në fushën e tij. Ai jo vetëm që e ka njohur mirë gjuhën shqipe, por edhe ka ditur ta shtjellojë mirë materien dhe ta  transmetojë lehtë tek nxënësit. Kjo është me rëndësi. Lirisht mund të them se Musa ka qenë kuadër i nivelt të  lartë.  Unë kam pasur raporte korrekte  me të dhe kemi kaluar mirë”, shprehet arsimtari Izet.

Edhe ish-mësuesi Maliq Maliqi shprehet në superlativ për  arsimtarin Musa.
“Ka qenë shumë i përgatitur. Ai është në gjendje pa asnjë shënim të mbajë orën në mënyrë perfekte. Nuk ka pasur këshilltar të arsimit që ka mundur t`i bëjë ndonjë vërejtje asnjëherë. Edhe në gara gjithmonë ka qenë i suksesshëm.  Musa meriton respektin si profesionist në fushën e tij. Smira duhet do ta kujtojë dhe vlerësojë gjithmonë kontributin e tij të çmueshëm  në ngritjen e nivelit arsimor”, thotë mësuesi Maliq.

-Arsimtari i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe Musa Sejdiu, ka lindur më 16.05.1946, në Smirë. Prej vitit 1967 për tri vite ka punuar në Goshicë, si arsimtar i Gjeografisë dhe Historisë me shkollë normale. Në vitin 1972 është punësuar në shkollën e Smirës, ku punoi deri në fund të karrierës. Në vitin 1980 e ka mbaruar Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

Veterani i palodhshëm i arsimit në Smirë, edhe ditën kur u përshëndet me nxënës e kolegë, u la atyre kujtim nga një laps kimik, si simbol të dijes-të cilën aq shumë e deshti.

Faleminderit arsimtari   ynë-Musa Sejdiu!

Tefik Salihu

Leave A Reply