Arbëri dhe Riadi para se të shkonin sot në punë, fillimisht  u bënë nderime dëshmorëve të kombit nga fshati Smirë. Ata u përkulën  para emrave të skalitur në përmendoren e ngritur në mes të fshatit në kujtim dhe nderim të veprës dhe gjakut të tyre të derdhur për  atdhe. “Ndjej respekt për ta dhe për familjet e tyre. Dëshmorët ranë në altarin e lirisë që ne të jetojmë dhe punojmë pa  pengesa.

 

Kam  qenë vetëm shtatë vjet, para 12 viteve. Nuk mbaj mend shumë gjera gjatë luftës, por tashti kur jam rritur e kuptoj peshën e veprës së  dëshmorëve dhe të luftës së UÇK-së”, shprehet Arbëri.

Edhe Riadi shprehej me emocione për dëshmorët dhe veprën e  tyre. ” Edhe unë kam qenë i vogël kur kanë rënë këta dëshmroë. E kujtoj vetëm se si ikte popullata civile, më 5 prill të vitit 1999, kurse  sot po shkoj në punë pa frikë”, thotë Riadi. 

 Në 12-vjetorin e rënies, nderime te monumenti përkujtimor për dëshmorët e Smirës  dhe te vendi i rënies së tyre kanë bërë sot edhe  familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë. Homazhet kanë vazhduar edhe te varrezat e dëshmorëve ku prehen të qetë 4 dëshmorët smiras, të rënë para 12 vitesh. Masës së tubuar me këtë rast, iu kanë bashkuar edhe përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përfaqësues të Policisë së Kosovës e  qytetarë të tjerë.  Lotët e dhembjes nuk mungonin, por ballin të gjithë e kishin lartë-krenar për bijtë që pati Smira. Emocionuese ishte sidomos, një këngë kushtuar dëshmorit Ylvi Demiri të interpretuar nga 4 mbesat e tij. 

Bashkëshortja e dëshmorit Mirali Sejdiu tek po lëshonte Kompleksin memorial, bashku me birin e saj Ymerin, e kujtonte me emocione  ditën kritike, por njëkohësisht edhe ndihej krenare që MIraliu kishte sakrifikuar më të  shtrenjtën për Kosovën.

“Doli nga shtëpia në mëngjes dhe tha se po shkonte për t`u furnizuar me armë diku. Dy ditë nuk kemi ditur  gjë për të dhe nuk u kthye më”, ka thënë ajo, pa mundur të fliste shumë. Më pas të pranishmit në këto homazhe, kanë bërë vizita tek familjet e dëshmorëve të Smirës.  

Njëri nga bashkëluftëtarët e dëshmorëve, Emrush Azizi, që ishte komandant i Njësiteve të UÇK-së dhe përgjegjës për UÇK për Smirë, Goshicë, Drobesh, Gërmovë dhe Kabash, e kujtonte 5 prillin e vitit 1999, si ditë shumë të vështirë për fshatin.  

“Atë  ditë deri pas masnatës  kemi qenë bashkë me MIraliun, Hebibin dhe Skenderin, aty kanë qenë edhe Qamili, Mustafa, Muharremi etj, në  pikat e caktuara, te  Zabeli i Shaqës. Rreth orës 8:00 kam dalur te xhamia, e kam takuar Sahit Sylejmanin duke ardhur me familjen në traktor. Ai më tha se  policia serbe ka hyrë në fshat. Kam shkuar deri te familja Jetishi, por jam kthyer prapë se i pashë policët. Kam takuar Bashkim  Hasanin të cili i kam kërkuar t`i marrim armët dhe të ngjitemi më lart mbi fshat. Kam kontaktuar edhe Samet Sahitin i cili ka qenë i  armatosur. Unë dhe vëllai im Bekimi kemi marrë armët të bëjmë përgatitje për rezistencë”, tregon Emrushi.

Mirëpo, ai thotë se në rrethanat e krijuara, ka qenë e pamundur të bëhet diçka, për shkak të pranisë së madhe të popullatës, e cila do të mund të rrezikohej nga rrethimi i hekurt që forcat serbe i kishin bërë fshatit..

“Në ato momente kanë hyrë  qindra gra e  fëmijë në oborrin tonë për t`u larguar në pjesën e malit.  Pasi e kemi parë popullatën civile, disa nga armët i kemi fshehur në  shtëpi dhe jemi  marrë me qytetarët për t`i larguar në vend të sigurt. Në ato momente kanë filluar të shtëna të  shumta në pjesën e  Bregut të  Bjeshkallavës, ka Cernajt. Një pjesë e popullatës ka arritur të kalojë rrethimin dhe të marrë rrugën për  Drenushë. Edhe një  pjesë e  Aliajve ka marrë të njëjtën rrugë. Me këtë rast është plagosur Nezir Elezi. Pastaj një pjesë e Cernajve iu  bashkua popullatës.  Një pjesë e  turmës ka tentuar të kalojë rrethimin kah Vneshtat por janë kthyer prapa pasi kanë dëgjuar krisma. Meqenëse tashmë  policia kishte futur nën kontrollë turmën urdhëroi që fshatarët të kthehen prapa. Policia ka filluar t`i kontrollojë meshkujt. Në mesin e  tyre edhe dëshmorin Ylvi Demiri, të cilit ia gjejnë një bombë që kishte me vete. Policia e dërgon pak më larg dhe pasi e maltreton, pastaj e vranë. Njëkohësisht me breshëri armësh është gjuajtur edhe Qamil Demiri, i cili për fat të mirë shpëtoi”,  kujton Emrushi ato momente të rënda për të gjithë fshatin.

Ai tregon se dy ditë radhazi i ka  kërkuar Miraliun, Hebibib dhe Skënderin, por nuk i ka gjetur. Ka shkuar edhe deri në Drenushë, ku takuar edhe Afrim Halilin, njeriun e dytë përgjegjës i UÇK-së për Smirë. “Të parin e kam gjetur Skënderin në vendin e quajtur Te klickat. Më vonë bashkë me Bacin Bejtë dhe me Muharremin i kemi gjetur edhe MIraliun dhe Hebibin. Ata janë varrosur nga 12 po 13 veta sa kemi qenë saktë nuk e di, afër oborrit të Skënderit, në mal”, thotë Emrush Azizi.

Pastaj katër dëshmorët e Smirës janë rivarrosur në gusht të vitit 1999 në Varrezat e Dëshmorëve në Viti.

Sot, shkolla fillore e fshatit  me krenari e mban emrin “Dëshmorët e 5 Prillit”. 
 

  LAVDI DËSHMORËVE!!

P.S. Më shumë foto nga kjo ngjarje gjeni te Foto Galeria-Fshati

 

Leave A Reply