“Babi kishte blerë disa lule dhe më tha të dal ta bëj gati vendin. E thirra edhe Halilin, i cili nuk pritoi fare dhe m`u bashkua. Po e rregullojmë se bëhet më bukur. E pastruam, hoqëm barin e keq, tashti dhe do të mbjellim lulet përreth”, thotë Rigoni.
Shpresimi tregon se ka dalë edhe ai t`u ndihmojë fqinjëve të tij në këtë aktivitet fisnik. “Dola edhe unë t`i bashkohem kësaj iniciative. është pak punë, por që ndryshon shumë pamjen e qendrës së fshatit. Mendoj se do të duket bukur dhe do të mirëmbahet. Më herët ka pasur pamje jo të mirë, sepse automjetet e kanë shkelur rrethin dhe e kanë prishur pak”, thotë Shpresimi.
Atyre iu ishte bashkuar edhe Ylli (Hesat) Zuka 7 vjeç, i cili na befasoi kur propozoi që në mes të rrethit të vendoset një pishë apo bredh. Sidoqoftë, aksioni i këtyre djelmoshave, duhet përshëndetur dhe përkrahur për të përmirësuar pamjen e përgjithshme të fshatit dhe për të shtuar hapësirat e bukura në ambientin ku jetojmë.