Banorët e Smirës që takuam, e  kanë akoma të freskët 24 marsin e vitit 1999, kur bombat e para të NATO-s, goditën  caqet ushtarake serbe, për t`i dhënë fund regjimit të egër të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Ata me admirim flasin se si e kanë mirëpritur  këtë ngjarje me plot shpresë për  ndryshimin e situatës së padurueshme në të cilën gjendeshin dhe me besimin  se dita e madhe e lirisë, për ta,  më në fund do të vie….

 Hyrmet Bajrami kujton se atë natë ishte në shtëpi me familje, derisa thotë se ajo ishte ditë me peshë për kosovarët e shtypur me  dekada. “Kemi qenë brenda, kur kemi kuptuar në lajme se  NATO nisi bombardimet, së pari në Prishtinë.  Jemi gëzuar për këtë hap që e ndërmorri Aleanca, sepse kemi besuar se kjo do t`i vërë jap dorën e fundit përpjekjeve tona për liri dhe do t`i vërë kapak vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës. Natyrisht kemi pasur edhe frikë se pas fillimit të bombardimeve, forcat serbe do të shtojnë  dhunën mbi popullatën civile, në shenjë hakmarrjeje, siç edhe ndodhi më vonë”, ka thënë Hyrmeti. Ai ka rikujtuar kohën e keqe, në fillim të prillit, kur bashkë me vëllezërit e tij është mbajtur peng për ditë të tëra nga forcat serbe në shtëpinë e tij.

Veterani smiras  i arsimit, Maliq Maliqi, duke kujtuar momentin e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, thotë se kjo është ngjarje e rëndësishme për shqiptarët. “24 marsi i vitit 1999 është datë historike për ne. Kurrë nuk do ta harroj atë natë. Isha në oborr kur gruaja doli nga brenda të më tregonte se NATO filloi bombardimet, kurse unë e shihja qiellin e skuqur mbi Prishtinë nga zjarri i bombave që kishin rënë në kazermën e Ushtrisë serbe”, tregon mësuesi Maliq. Ai thotë se ky moment është pritur me gëzim të madh nga ia dhe familja e tij, sepse ka qenë momenti i fundit që të ndërmerret diçka  në këtë drejtim. “Nuk kam besuar se NATO do të intervenojë në Kosovë. Thoshim hajt se vetëm fjalë e kanë. Bile më kujtohet Vehbiu (mësuesi Vebi Ibishi) kur thoshte ‘lëre bre se nuk ka gjë  prej muzikantit Bill Clintonit, se ai ka qenë saksafonist më herët’. Mirëpo, kërcënimi i amerikanëve se do të intervenojnë, u bë realitet. Pas kësaj, jemi frikuar se do të pësojmë nga hakmarrja e  serbëve, por e kemi ditur se do të fitojmë”, kujton duke qeshur mësuesi Maliq, 24 marsin e vitit 1999, duke treguar se edhe ai ishte  marrë peng nga ushtria serbe.

Edhe Nijazi Halili e ka përjetuar si të veçantë momentin e fillimit të intervenimit të Aleancës veriatlantike në Kosovë, para 12 vitesh. Ai  thotë se ka qenë kënaqësi kur ka parë si binin projektilët e NATO-s mbi caqet e ushtrisë serbe. “Thosha tashti edhe nëse na vrasin,  nuk ka lidhje. Vetëm a i pamë duke i shkatërruar makinerinë vrastare të serbëve. Ne e  shikonim zjarrin kundërajror  të serbëve duke  gjuajtur pa sukses avionët e NATO-s. Sigurisht që ajo ka qenë natë e madhe për ne, sepse atë natë filloi fundi i dramës kosovare”, tregon edhe sot me emocione,  Nijaziu.

Emocione dhe kujtime për 24 marsin e vitit 1999 patën edhe qytetarë tjerë të Smirës që i takuam, sot, tek po e kujtonim këtë datë, e cila me të drejtë konsiderohet me rëndësi të veçantë në kalendarin historik të Kosovës. Ndryshe, Avionët e NATO-s patën hedhur projektilë edhe në Smirë, në pjesën e Bjeshkallavës, por nuk është raportuar nëse aty ka pasur makineri dhe pajisje ushtarake të serbëve. Sidoqoftë edhe Smira i ka si kujtim gjurmët e bombardimeve të NATO-s nga ajo kohë.  /Tefik Salihu/

Leave A Reply