Habibe_IbishiMësuesja Habibe Ibishi, nga Smira, edhe sot më 7 Mars, në Ditën e Mësuesit, po bënte rrugën e zakonshme  për në shkollë, ashtu siç ka bërë qe mbi katër decenie. Sivjet bëhen 42 vite të karrierës së saj të suksesshme, si punëtore e arsimit. Ajo u ndal disa  herë në oborr nga nxënësit, të cilët me lule e puthje ia uronin 7 Marsin.  Veteranja e arsimit, rrugën e saj prej mësueseje, e quan një mision të gjatë që  kërkon përkushtim dhe përgjegjësi, pasi nxënësit mbështetjen dhe besimin më të madh e kanë te mësuesi….

   “Punën si mësuese  e kam filluar në vitin e largët 1969, në fshatin  Gërmovë. Pastaj pas një viti e gjysmë jam transferuar në Smirë.  Atëherë kemi qenë paralele të ndara në kuadër të shkollës që ka  pasur qendrën në Goshicë. Në atë kohë mësimi mbahej në objektin  e vjetër te Mejtepi, por më vonë është ndërtuar shkolla e re. Përherë e kam dashur këtë profesion, sepse ndihem mirë, pasi që është  diçka e shenjtë që ta ndash  dijen me të tjerët. Sidomos në atë kohë shoqëria kosovare ka pasur shumë nevojë për shkollim e arsimin”, shprehet mësuesja Habibe e emocionuar nga respekti që po i bënin nxënësit. 

E ndoqëm mësuesen deri në klasë, ku e pritnin nxënësit e klasës së parë, për të marrë dije që do t`u shërbejë për të ardhmen. Aty ajo mori edhe të tjera dhurata dhe buçeta lulesh në shenjë  falënderiimi dhe mirënjohje për punën që po bën. Mësuesja Habibe  thotë se kurrë nuk  lodhet duke punuar me nxënës. 

“Është ndjenjë e mirë-asnjëherë nuk mërzitem, sepse fëmijët i dua shumë. Në asnjë moment të jetës sime, nuk jam zhgënjyer, pavarësisht  rrethanave dhe zhvillimeve. Kam punuar me shumë pasion dhe dashuri dhe nuk jam penduar që kam zgjedhur këtë profesion. Sot jam e lumtur kur shoh se nga duart e mia kanë dalë plot njerëz të sukseshëm-nxënësit e mi janë bërë profesorë,  gjykatës, arkitektë, ekonomisë e çka jo tjetër”, thotë mësuesja Habibe, derisa po u kontrollonte detyrat nxënësve.

Duke bërë një krahasim të mësimit në përgjithësi midis viteve të mëhershme dhe sot, mësuesja Habibe tashti nuk është shumë e kënaqur me sistemin dhe kushtet.

 “Ta them të drejtën kur kemi filluar këtu, kushtet kanë qenë më të mira se sot. Kemi pasur shumë mjete adekuate konkretizimi. Me kalimin e kohës janë shkatërruar ose vjedhur dhe tashti nuk kemi asgjë, përveç dërrasës së zezë dhe shkumsit. Kurse fëmijët janë shumë të mrië, të zgjuar dhe të interesuar për mësim, por janë pak të ri. Edhe plangprogramet mësimore me këtë sistemin e ri janë të ngarkuara dhe nuk mund të përpunohen lehtë. Ato janë paraparë të zbërthehen me qëndrim më të gjatë në shkollë, kurse ne mbajmë nga 3-4 orë pedagogjike të mësimit”, thotë ajo.

Mësuesja e palodhshme Habibe Ibishi, ka lindur në vitin 1948, në fshatin Mjak. Pas tri vitesh, familja i shpërngulet në Gërmovë, ku ajo i vijoi  mësimet në gjuhën serbe deri në klasën e VI, pastaj ka vazhduar në Goshicë në gjuhën shqipe për të ndjekur për 5 vjet  Shkollën Normale në Ferizaj.

Ajo, në moshën 63 vjeçe, edhe dy vite pret të pensionohet, për të përmbyllur një karrierë të bujshme me punë të palodhshme, përkushtim, mund e djersë për një qëllim të shenjtë-edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja, siç kanë bërë edhe shumë kolegë të saj smiras.

Faleminderit mësuesja jonë-Habibe! 

 

 

 

Leave A Reply