Varret_ne_SojeveSmira dhe Gërmova kanë ngritur nismën për  kthimin e eshtrave në  vendlindje të tre dëshmorëve të Luftës së Sojevës më 1912, Xukë Xuka e Bajram Ahmeti  nga Smira dhe Sahit Gorani nga Gërmova.  Këta tre atdhetarë, ranë heroikisht në luftë kundër njësive ushtarake serbe në vendin e quajtur Roga, midis Ferizajt dhe Sojevës, ku edhe janë varrosur nga banorët lokalë në një varr të përbashkët,  në një arë-pronë private…. 

 

Xuka, Bajrami e Sahiti, së bashku edhe me luftëtarë të tjerë nga Anamorava kishin shkuar në Sojevë për t`iu kundërvënë Ushtrisë serbe që po bënte masakra në Ferizaj dhe që pretendonte të vazhdonte më tutje drejt fshatrave tjera, siç  edhe ndodhi  në Sojevë, pastaj në Smirë, Kabash e Lubishtë.

Koordinatori i këtij projekti, Isuf Zuka, nga Smira, i tha portalit tonë se planifikohet  që këta tre dëshmorë të kësaj lufte, të zhvarrosen dhe të rivarrosen në trekëndëshin e rrugës Smirë-Ferizaj, pranë varrezave të fshatit Gërmovë, ku edhe do t`u ngritet një lapidar.

“Para disa vitesh ne kemi vizituar vendin ku janë të varrosur Xukë Xuka, Bajram Ahmeti dhe Sahit Gorani, në Sojevë,  në arën e Heset Mustafës, i cili vazhdimisht është kujdesur dhe e ka mirëmbajtur varrin. Këtë, para vdekjes,  ua kishte lënë amanet edhe pasardhësve të tij.   Pra, varri i përbashkët  është mbajtur në gjendje të mirë për gati 100 vjet. Mirëpo, pavarësisht kësaj, ne kemi menduar që këta dëshmorë të kthehen tek  rrënjët e veta,  sepse shumë bashkëfshatarë tanë ndoshta  as nuk e dinë që ata kishin  rënë në luftë.  Duke nderuar veprën e tyre dhe duke ua kthyer mbetjet  mortore në  vendlindje, dëshirojmë që ta trajtojmë si duhet këtë pjesë të historisë sonë”, ka thënë Zuka. 

Ai ka treguar se  ishte në propozim  që dy dëshmorët e Smirës të rivarrosen në varrezat e fshatit në Bjeshkallavë, kurse Sahit Gorani të rivarroset në Gërmovë, por në fund është vendosur që ata të mos ndahen, pasiqë  bashkë kishin rënë në luftë.

“Aty në hyrje të fshatit Smirë, në kënd, pranë varrezave të Gërmovës, do të ngritet një monument përkujtimor i përbërë nga një lapidar me emrat e të treve dhe një hapësirë tjetër  me shtigje, drunj dekorativ e gjelbërim. Kemi menduar se ky vend është më i përshtatshëm, pasiqë është në kufi administrativ dhe korrespondon me fshatrat nga vijnë dëshmorët-dy nga Smira dhe një nga Gërmova”, është shprehur ai.

Tashmë është bërë  kërkesa zyrtare në Drejtorinë Komunale të Kadastrit,  për të destinuar vendin ku do të ngritet lapidari. Vetëm pritet përgjigjja e autoriteteve zyrtare dhe të fillohet me punët konkrete. Isuf Zuka tha në fund se pastaj do të hapet edhe llogaria bankare ku qytetarët mund të kontribuojnë me mjete financiare për realizimin e këtij projekti. /t.s/

Leave A Reply