Administratori i fshatit Smirë, Bekim Azizi, tha për portalin tonë se në një takim që është mbajtur në Smirë, është formuar edhe komisioni, i cili përbëhet nga përfaqësues të Smirës dhe Goshicës, të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Viti, diasporës dhe përfaqësues të shkollës fillore të Goshicës, e cila me një vendim të autoriteteve komunale do të mbajë emrin e dëshmorit të Smirës “Mirali Sejdiu”.
“Ne kemi bërë përgatitjet e para për këtë nismë, kemi kërkuar pëlqimin e autoriteteve të komunës dhe kemi caktuar një grup nerëzish që do të merren me organizimin dhe koordinimin e punëve rreth ngritjes së bustit, siç janë çështjet financiare, teknike etj. Poashtu, kompania Art Project është angazhuar për të bërë projektin e bustit dhe ambientit përreth”, ka thënë administratori i fshatit Smirë, Bekim Azizi.
Ai tregoi se për këtë nismë është marrë edhe pëlqimi i kryetarit të Komunës Nexhmedin Arifi, i cili ka premtuar edhe mbështetjen financiare të Komunës.
Sipas Bekim Azizit, busti planifikohet të përurohet më 5 prill 2011, në përvjetorin e rënies së dëshmorit Mirali Sejdiu. (fshatismire.com)