Dani_me_MehmetinEdhe sivjet në këtë fundvit shumë mërgimtarë tanë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Evropës kanë ardhur për t`i kaluar pushimet  dimërore në vendlindjen e tyre-Smirë. Rrugën e gjatë një mijë e më shumë kilometra, varësisht ku punojnë,e kanë kaluar me aeroplan, disa me  autobusë e disa me vetura private, vetëm për t`i takuar të afërmit dhe për ta parë vendin e tyre.

Mehmet Maliqi, i cili aktualisht jeton dhe punon në Backnang, afër qytetit Stuttgart të Gjermanisë, Vitin e Ri e ka pritur bashkë me familjen e tij në  Smirë.  Ai  thotë se po shijon momete gëzimi në vendin ku është rritur. “Kam kaluar mirë. Kam ardhur para festës me veturë nga Gjermania…

 

Gjatë rrugës kam pasur pak probleme me veturë, por u rregullua dhe kryesorja është se isha këtu në ndërrimin e moteve. Na merr malli për këtë  vend. Jo vetëm për njerëzit, por edhe për therrat e tij. Shyqyr edhe këtu ishin të gjithë mirë. Si zakonisht, kam vizituar edhe të afërm dhe miq në  vende tjera”, ka thënë Mehmeti për portalin fshatismire.com. Ai na tregoi se në Backnang ka një firmë të veten që merret me hortikulturë,  kryesisht me rregullimin e oborreve dhe parqeve. Mehmeti tha se do të kthehet në Gjermani kah fundi i javës.
Mehmetin e takuam rastësisht në qendrën tregtare Beni Impex. Kurse në dalje hasëm edhe në Ramadan Rrahmanin, i cili ka ardhur nga Gjeneva  e Zvicrës për të kaluar festën në fshatin Smirë. Ishte një takim vëllazëror midis tyre. Ata  u çmallën e folën për jetën dhe familjet e tyre.  Thanë se nuk ishin parë qe një kohë dhe ishin të lumtur që u takuan.
Edhe Dani tha se është duke u kënaqur në Smirë. “Shumë mirë. Jam i lumtur që isha për festë këtu. Edhe pse jam shpesh në Kosovë, prapë se  prapë malli nuk më shuhet. Kam dëshirë të madhe të jem në kontakt me njerëzit e mi. Edhe atje në Zvicër takohem kryesisht me bashkëfshatarë.  Bisedojmë për fshatin dhe për jetën këtu”, ka thënë Ramadani, i cili do të qëndrojë në Kosovë deri kah mesi i janarit.  Edhe Dani ka një firmë private në Gjenevë.
Këtyre ditëve kemi takuar edhe mërgimtarë tjerë që kanë ardhur nga vende të ndryshme të Evropës, Zvicra, Gjermani, Italia, Austria…, vetëm për  të kaluar festat e fundvitit me më të afërmit e tyre. Të gjithë ishin të lumtur që kanë pasur mundësi të vijnë në vendlindjen e  tyre.

Leave A Reply