Me nderime, në fshatin Smirë është bërë varrimi i veteranit të arsimit Sabri Salihu. Familjarë, të afërm, ish-kolegë, bashkëfshatarë, miq dhe shokë i dhanë lamtumirën e fundit të njerit, njërit nga mësuesit e parë të komunës së Vitisë. Përfaqësues të shkollës fillore “Dëshmorët e 5 Prillit”, ku ai ka punuar për një kohë të gjatë, thanë në ceremoninë e varrimit, se lajmi për vdekjen e mësuesit Sabri, ka qenë prekës për të gjithë:
“Sabriu ishte shok i mirë. Ishte i dashur. Filloi të punojë shumë herët. Punoi së pari si mësues në Kabash, në vitin 1952, atëherë kur Vitia me rrethinë kishte fare pak mësues shqiptar. Pas pak kohe punoi në Kuvendin Komunal të Vitisë, si punëtor administrativ. Pastaj e kreu punën edhe si ofiçar në Binçë e më vonë në Gjilan në Entin e Sigurimit. Punoi si mësues kur treva shqiptare kosovare kishte më së shumti nevojë për mësues shqiptar. Punën më të gjatë e bëri me fëmijë-me nxënës. Në Smirë filloi të punojë që nga viti 1963 e deri më 23 prill të vitit 1998, si mësues dhe si edukator i shumë brezave të rinj, të cilët e përkujtojnë si djalë fjalëmbël dhe të dashur për ta.
Qe i afërt edhe me shokë e kolegë. E vazhdoi profesionin arsimor me vite deri në ditët e sotme. Na la shumë fjalë e mahi. Sot po ndahemi nga ai me një përkujtim dhe dhembje të madhe. Në mesin tonë nuk është më prezenca e tij fizike, kurse fjalët, disponimi dhe sinqeriteti i tij do të jenë gjithëherë në mesin tonë. Si shok ishte shumë i afët. Si mik ishte mjaft i respektuar. Si vëlla ishte i pandashëm. Si babë e prind i pazëvendësueshëm. Edhe si gjysh shumë i ëmbël-kurrë nuk ua prishi disponimin bilbilave të vegjël, të cilët me shumë mall e përkujtojnë”, tha Musa Sejdiu, në fjalën lamtumirëse në emër të punëtorëve dhe nxënësve të shkollës “Dëshmorët e 5 Prillit”.
I ndjeri Sabri Salihu vdiq të martën më 11 janar 2011, nga një sëmundje e shkurtër, në moshën 76 vjeçare.