Këshilli i Fshatit Smirë, si një mekanizëm vullnetar, i zgjedhur në mënyrë demokratike, me vota të qytetarëve, prej paraqitjes së pandemisë së gripit, më 13 mars 2020, është vënë në shërbim të tejkalimit të gjendjes.
Kryetari këtij këshilli, Tajar Hyseni, nuk preferon të flasë për punën e vet dhe angazhimin që po e bëjnë bashkë me anëtarët e tjerë, për të mbështetur familjet me gjendje më të rrezikuar financiare. Por, ai thotë se po bëjnë maksimumin me mundësitë që kanë në trajtimin e të gjithëve që kanë nevoja emergjente bazike për jetesë.
“Ne po mundohemi t’iu jemi pranë atyre familjeve që kanë më së shumti nevojë. Por, përveç rasteve sociale, listën e kemi zgjeruar edhe me familje të tjera, të cilave, ndërkohë, iu është rënduar gjendja fimanciare. Kjo kërkon angazhim, kohë e shpenzime. Me këtë rast dua të falënderoj dhuruesit, Komunën e Vitisë që po i siguron dhe kanalizon donacionet si dhe dua t’i veçoj anëtarët e Këshillit të Fshatit Smirë, Jakup Demirin dhe Florent Imerin, e sidomos Njazi Fejzullahun i cili përveç se po angazhohet personalisht, për shpërndarjen e të mirave materiale, ka vënë në dispozicion edhe automjetin me gjithë shpenzimet e derivateve”, ka thënë Hyseni.
Sipas tij, deri tani janë ndihmuar mbi 70 familje me rreth 300 pako me artikuj bazikë ushqimor e higjienik, miell e patate si dhe janë shpërndarë 2157 euro mjete monetare. Këto ndihma dhe para janë siguruar nga donatorë të ndryshëm, biznese, organizata, shoqata, individë dhe mërgimtarë smiras. Ndërkohë
Shoqata Smira ka dërguar 2000 Sfr, por akoma nuk është kompletuar transferi bankar.
Këshilli i Fshatit Smirë kërkon mirëkuptimin e të gjithëve, e sidomos të atyre që presin të marrin mbështetje, që të kenë konsideratë, sepse rastet po shtohen dhe po ka vështirësi, por askush që ka nevojë, nuk do të mbetet pa u ndihmuar.


