Është promovuar në Viti libri shkencor-monogafik “Smira-komunikime onomastike”, i Mr. Ramadan Asllani. Në një audiencë të respektuar, kjo vepër është vlerësuar lart nga referuesi Ramadan Musliu.
“Për dallim nga gjithë këto monografi jo vetëm për Smirën por edhe për fshatra të tjerë dhe në nivele të tjera, monografia e Ramadan Asllanit, edhe pse për objekt studimi ka Smirën dhe të kaluarën e saj, ai ka gjetur një çelës të vetin dhe një çasje nga një kënd shkencor për të cilin mund të themi se është autorial dhe është kontribut sa i përket studimit nga kjo lëmi. Kjo çasje, ky çelës dhe ky kënd, nga i cili e vështron problematikën është ai onomastik. Autori do ta zbërthejë edhe të tashmen edhe të kaluarën edhe shumëçka tjetër që lidhet me Smirën, duke u marrë vetëm me materialin gjuhësor që ofron ky areal”, ka thënë Musliu.
E Sevdie Aliti tha se kjo vepër është mbështetur në fakte dhe argument arkeologjike.
“Janë dhënë shumë analiza, duke u ndalur edhe te fjalëformimi , prejardhja e atyre fjalëve, duke analizuar formën e formimit, sepse në bazë të studimeve që autori paraqet në libër dhe në bazë të atyre që janë të dëshmuara deri më sot, flitet për një lokalitet me një lashtësi të gjerë dhe dihet se në këto periudha vendbanimet ilire i janë nënshtruar sundimeve të huaja dhe çdo sundues që ka ardhur pikësynim të parin e ka pasur që të ngulit në këto vendbanime të ndryshojë toponiminë dhe emërtimet”, ka thënë Aliti.
Vet autori tha se gjatë hulumtimeve është shërbyer me një metodologji tjetër shkencore.
“Unë bimë e Smirës jam përpjekur të bëjë diçka për Smirën-vendlindjen time si një obligim që kurrë nuk është i mjaftueshëm . Libri është i vogël, por ka një përmbajtje të mirë shkencore i cili është shkruar me një metodologjie shkencore tjetër në krahasim me atë të zakonshme. Për herë të parë në këtë libër janë përkhtyer artefatet nga gjuha latine në gjuhën shqipe”, ka thënë Asllani.
Recensuesit Prof. dr. Qemajl Murati dhe Prof. dr. Begazad Baliu, kanë shkruar se ky studim monografik për Smirën, do t`ju shërbejnë studiesve të problematikave onomastike e gjuhësore shqiptare në përgjithësi për kërkime të mëtejshme shkencore.
Autori ka falënderuar të gjithë të pranishmit në promovim si dhe ata që e ndihmuan dhe mbështetën, në forma të ndryshme, sidomos Fehmi Ramadanin dhe Enver Bajramin, që ishin nismëtar për botimin e këtij libri dhe Njazi Halilin për sigurimin e fotografive të vlefshme.
Me rastin e promovimit të këtij libri, nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, në emër të kryetarit Sokol Haliti, e ka nderuar autorin në shenjë respekti për punën e tij krijuese.
Fehmi Ramadani, në emër të smirakve, e ka falënderuar autorin për punën që e ka bërë, duke i dëshiruar punë të mëtutjeshme të suksesshme. Biografinë e autorit e ka lexuar Diana Ramadani.
Ramadan Asllani ka lindur në fshatin Smirë më 1957. Katër klasët fillore i mbaroi në vendlindje, kurse të plotën dhe gjimnazin në Kaçanik. Ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Prishtinë, ku edhe ka magjistruar në temën onomastike “Aspekti morfo-struturore e semantik i ojkonimeve të Kaçanikut”. Ka punuar mësimdhënës i Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Kaçanik e Ferizaj, gazetar në “Zëri”, “Bota Sot” dhe në “Kosova Sot”. Përveç shkrimeve gazetareske ka botuar dhjetë libra dhe ka bërë dy dokumentarë.


