Dyqind drunjë po mbillen përskaj dy anëve të rrugës kryesore të fshatit, në kuadër të projektit “Partneritete të qëndrueshme komunale”. Me këtë po përmbyllet me sukses faza pilot 2-vjecare e projektit, që po zbatohet nga Engagement Global, Qendra e Komunave në Njërën Botë, në kuadër të Agjendës 2030 të OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm. Përndryshe në kuadër të këtij projekti Komuna e Vitisë dhe Kirchhain i Gjermanisë, respektivisht Smira dhe Kleinseeilheim, kanë një partneritet për zhvillim të qëndrueshëm në fushat: Energjia e ripërtëritshme, masat kundër ndryshimeve klimatike dhe biodiversiteti. Projekti është financuar nga Ministria Gjermane për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik. Të dyja komunat kanë përfituar nga 5000 euro për projekte në fushën e energjisë së renovueshme, veprimeve kundër ndryshimeve klimatike dhe biodiversitetit.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka thënë se fushat e bashkëpunimit me komunën partnere janë të rëndësishme.
“Gjatë kësaj periudhe 2-vjecare ne kemi mësuar shumë nga Kirchhain, por besoj se edhe kjo komunë ka mund të marrë gjera pozitive nga ne. Nuk është gjithmonë me rëndësi shuma që përfitojmë, sepse përfitimet më të mëdha jakë bashkëpunimi, këmbimi i përvojave dhe ekspertizës si dhe lidhja kulturore që kemi vendosur tashmë”, u shpreh Haliti.
Përfaqësuesi I Kirchhain, Prof.Dr. Rainer Waldhardt, tha se përveç bashkëpunimit zyrtar, Vitia dhe Kirchhain, por edhe fshatrat Smirë dhe Kleinselheim, mes vete kanë krijuar edhe marrëdhënie të mira miqësore, duke i cilësuar si partner besnik.
Kryetari Haliti dhe Prof. Rainer janë pajtuar që bashkëpunimi i nisur 2 vite më pare, të vazhdojë edhe më tej me projekte të tjera të cilat janë në interes të shoqërisë në veçanti në kuadër të objektivave që parashihen me Agjendën 2030 të miratuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara më 2015. Prof. Rainer bëri të ditur se tashmë Kirchhan dhe Vitia kanë aplikuar bashkë në një konkurs për projekte të reja në fushën e Energjisë së Ripërtëritshme, në fondet e Qeverisë Gjermane.
Projekti i mbjelljes së drunjve përreth rrugës kryesore, u mirëprit edhe nga banorët e Smirës, të cilët u shprehën falënderues për këtë ndryshim të ambientit. Punët do t`i kryejë Fidanishtja “Natyra-Smira” nga Smira.
Komuniteti i Smirës, i ka nderuar me mirënjohje Prof. Rainer Waldhardt dhe Dr. Arben Mehmeti të cilët e kanë inicuar dhe kanë kotribuar në vendosjen e partneritetit për zhvillim të qëndrueshëm midis Smira/Vitia dhe Klenseeilhem/Kirchhain.


