Smira dhe fshati Kleinseelheim i komunës partnere gjermane Kirchhain kanë intensifikuar veprimet drejt finalizimit të projektit për qëndrueshmëri. Një delegacion nga Kirchhain ka ardhur për t`u njohur me përgatitjet dhe me lokacionin ku do të zbatohet projekti i mbjelljes së drunjve përreth rrugës kryesore të Smirës. Popozimi ka ardhur duke u bazuar në strategjinë zhvillimore të Smirës, në diskutimet me ekspertët e kësaj fushe nga Vitia dhe Kirchhain dhe pas analizimit të projektit edhe nga banorë të fshatit. Kryetari i Kirchhain Olaf Hausmann është interesuar për ndikimin që do ta ketë projekti për ambientin dhe sa do të jetë I qëndrueshëm, për shkak se drunjtë në vitet e para pas mbjelljes duhet të mirëmbahen dhe të ujiten. Zyrtarja për KAdastë, Pronë dhe Ndërtim, Meike Bonca, ka analizuar llojet e drunjve që janë përzgjedhur se a janë sa duhet të përshtatshëm për zonën tonë. Koordinatori i zyrës për ambient Alban Sokoli, duke iu përgjigjur interesimit të partnerëve gjermanë ka thënë se drunjtë nuk janë tipik vendor, por janë një lloj hibridi që iu përshtaten këtij rajoni. Ai tha se në tri vitet e para duhet ujitje intenzive, të cilën e ka marrë përsipër Komuna e Vitisë. Pjesë e delegacionit nga Kirchhain ishin edhe prof. Rainer Waldhardt dhe Stefi May, përfaqësues të Klenseelheim dhe këshilltar komunal në Kirchhain si dhe studentja Ayan Salayeva, e cila ka zhvilluar një hulumtin në kuadër të temës për master Menaxhimi i Tranzicionit. Delegacioni kavizituar edhe plantacionin “Natyra Smira”, për të parë nga afër llojet e bimëve të zonës sonë. Në fund mysafirët nga Kirchhain janë pritur në darkë të shtruar në shtëpinë e Zekirja Zukës.
Partneriteti midis Smira/Viti dhe Klenseelheim/Kirchhain ka nisur në janar të vitit 2017 si fazë pilot dyvjecare, pas kontakteve të para midis Prof. Waldhardt dhe prof.Arben Mehmeti. Projekti është ngritur nga Ministria Federale për Zhvillim dhe Bashkëpunim e Gjermanisë dhe përfshin 12 partneritete nga komunat gjermane me ato nga Evropa Juglindore (Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë). Secili partneritet ka zgjedhur fushat e interesit në kuadër të Agjendës 2030 të OKB-së, e cila parasheh arritjen e 17 Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm. Vitia dhe Kirchhain kanë vendosur të bashkëpunojnë në: Energjia e pastër dhe e përballueshme, Veprimet për klimën dhe Jeta në tokë.