Brigada 173 “Gursel e Bajram Sylejmani”,  e Zonës Operative të Karadakut, po vendos pllaka në shtëpitë që kanë shërbyer si baza të UÇK-së gjatë luftës së fundit të vitit 1999. Dy pllaka  të tilla u përuruan sot në Smirë, në shtëpinë e Kemajl Demirit dhe të Feriz Ahmetit.  Ish-komandanti i kësaj brigade, Selami Neziri-“Agroni”, tha se këto pllaka po vendosen për t`i identifikuar shtëpitë baza, në shërbim të luftës.  “T`i bësh konak në atë kohë UÇK-së, nuk ka qenë fare e lehtë. Ata që kanë pranuar që  dikush me unifomë, i armatosur, me disa njerëz të futet në atë familje, e kanë llogaritur  sakificën më sublime, qoftë  edhe të shfaroset me gjithë familjen. Në këto dy shtëpi në Smirë ka qëndruar komandati i  UÇK-së, për Zonën Operative të Nerodimes, Shukri Buja”, ka thënë Selami Neziri. Ai ka treguar se vitin e ardhshëm do të vendosen pllaka edhe në dy shtëpi të tjera në Smirë dhe në fshatra tjera të komunës sonë.

Familjarët e familjeve Demiri dhe Ahmeti janë falënderuar për këtë mirënjohje që po iu bëhet atyre për kontributin në shërbim të luftës.

Sejdi Ahmeti, pjesëtar i Brigadës 173 “Gursel e Bajram Sylejmani”, ka thënë se  këto pllaka po vendosen në disa fshatra të Komunës së Vitisë, me rastin e 20-vjetorit të fillimit të organizimit të  luftës në Komunën e Vitisë. Pllaka që identifikojnë shtëpitë baza të UCK-së janë vendosur në Sllakovc, Zllatar, Ramjan, Pozheran,  Sadovinë e Jerlive, Remnik.

 

Leave A Reply