Me nderime familjare e shoqërore i është dhënë, të martën pasdite, në Smirë,  lamtumira e fundit veteranit të arsimit Hajrush (Halit) Hyseni. Jeta dhe vepra e tij, u çmua lart nga pjesëmarrësit në ceremoninë e varrimit. Përkushtimi i tij për dekada në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja u vlerësua edhe nga përfaqësuesit e shkollës. Drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë, Xhavit Sahiti, tha në fjalimin mortor në emër të kolektivit dhe nxënësve, se lajmi për vdekjen e Mësuesit Hajrush i ka prekur thellë të gjithë, duke i njohur vlerat  e tij edhe prej njeriu, por  edhe prej profesionisti.

“Të nderuar miq dhe qytetarë të fshatit Smirë. Me pikëllim të thellë morëm lajmin pë vdekjen e mësuesit Hajrush. Ai lindi më 21 prill të vitit 1935 në një familje të madhe e të ndershme, me tradita fisnike e bujare. Ishte në mesin e nxënësve dhe mësuesve të parë të shkollës sonë. Klasën e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt i mbaroi në Smirë. Klasën e pestë e mbaroi në Kacanik, kurse  të gjashtën, të shtatën dhe të tetën, në Kabash. Pas mbarimit të shkollimit u punësua si mësues në shkollën tonë, pikërisht në vitin 1957 ku punoi deri në pensionim, në vitin 1997. Ai kaloi 40 vite me ditar në dorë, prej tyre një vit në Lubishtë, një gjysmëvjetor në fshatin Malinë dhe një gjysëmvjetor në fshatin Brezë”, u shpreh drejtori Sahiti.

Sipas tij, pesonalitetin e Mësuesit Hajrush e karakterizonte fisnikëria, sinqeriteti, besnikëria, përkushtimi në punë dhe virtytet tjera që e pëcjellën gjatë tërë jetës.

“Puna afësia, nderi bëri që të shquhej dhe të mbetej cdoherë si shembull se si të punohej. Ai gjatë karrierës së tij nxorri  shumë gjenerata të cilat më vonë u shndërruan në ekspertë të lëmive të ndryshme. Mësuesi Hajrush ishte i nderuar nga të gjithë. Ishte i urtë i dashur për të gjithë. Ai sot po ndahet vetëm fizikisht, sepse do të mbetet gjithmonë në mesin tonë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të. Ngushëllime!”, ka thënë drejtori i shkollës, Xhavit Sahiti.

Në emër të familjes, të pranishmit në këtë ceremoni mortore për Mësuesin Hajrush, i ka përshëndetur dhe falënderuar Isak Rexhepi.

1 Koment

Leave A Reply