Në lagjen “Avdyli” në Smirë, tash e tutje, natën mund të ngisni makinat edhe pa drita. Me iniciativë të Granit dhe Valon Abdylit, ka një javë që është instaluar ndriçimi publik, përkatësisht janë vendosur 11 poça automatike elektrike, në një gjatësi prej 500 metrave. Granit Avdyli i ka thënë portalit tonë se kjo ka qenë nevojë e kohës, pasi që kalimtarët, e sidomos nxënësit që kthehen vonë nga shkolla janë përballur me rreziqe të ndryshme, si nga qentë endacakë, ashtu edhe nga makinat për shkak të pamjes së dobët. Projekti është financuar nga vet banorët e Lagjes “Avdyli”. Organizatorët kanë falënderuar të gjithë për përkrahjen e projektit. Harxhimet e rrymës elektrike do t’i bartë Komuna e Vitisë.


