Shkolla e Fillore e Mesme e Ulët ‘Dëshmorët e 5 Prillit’, në Smirë, është shpallur shkolla me ambientin më të dalluar në komunën e Vitisë. Vendin e dytë e kanë ndarë shkolla “Kenan Halimi” nga Skifteraj dhe shkolla’Dëshmorët e Vitisë” nga Vitia, kurse me vendin e tretë është vlerësuar shkolla “Safet Rexhepi”- paralelja në Ballancë. Përzgjedhja është bërë në Ditën e Mjedisit nga një komision i formuar nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti ka theksuar angazhimin institucional në krijimin e hapësirave të gjelbëruara dhe ambienteve të pastra. Ai u fokusua në projektet e realizuara dhe në ato që do të finalizohen në të ardhmen, që kanë të bëjnë me ambientin, mbrojtjen mjedisit, mbajtjen e pastërtisë etj. “Për ata që punojnë, komuna është këtu për tu mbështetur. Duhet të reflektojmë të gjithë si në këtë ditë te mjedisit që po e shënojmë sot, që të angazhohemi për ti kontribuar ambientit të pastër dhe krijimit të hapësirave gjelbëruese’’, ka thënë kryetari Haliti.
Fshati më i pastër u përzgjodh Budrika e Epërme, ndërsa fshati më i rregulluar Ramjani. Kurse kopshti më i mirë u zgjodh ai i Ferid Bajramit nga Tërpeza, vendin i dytë e zuri kopshti i Admir Frangut nga Sllatina e Poshtme dhe vendi i tretë i takoi Deli Pajazitit nga Zhitia.


