Të dashur bashkëvendas!
Para gjashtë vitesh nisëm një projekt të ri, inovativ, interesant, të lezetshëm, të përdorshëm, praktik, të rëndësishëm dhe mbi të gjitha, të dobishëm për Smirën dhe smirasit. Në konsultim me Këshillin e Fshatit, grupet e interesit dhe aktivistët, krijuam një faqe të internetit për nevoja të fshatit dhe smirasve kudo që jetojnë. Bashkautorët Fidan Ferizi-ing. i shkencave kompjuterike, Zeqir Halili-arkitekt dhe Tefik Salihu-gazetar, morëm barrën e mbledhjes së informacioneve bazë për fshatin dhe i dhamë formë kësaj platforme që do t`ju shërbente të gjithëve, pa dallim dhe pa kompenzim. Që të tre morëm përgjegjësinë, të vetëdijshëm se fjala publike, shkrimet, fotografitë e materialet tjera do të mund të shkaktojnë edhe pakënaqësi apo pamjaftueshmëri tek lexuesit. Sidoqoftë, dëshira për të bërë diçka për të tjerët dhe për të krijuar një adresë të përbashkët për të gjithë smirasit, e sidomos dëshira për t`i bërë mërgimtarët të ndihem sa më afër vendlindjes, na ka bërë të vendosur të mbajmë gjallë vullnetarisht informimin, në baza ditore. Dhe jo vetëm që informuam bashkëvendasit tanë kudo që janë, por faqja e Smirës iu ra në sy edhe të tjerëve. Sepse përmes saj u promovuan aktivitetet e shpeshta, gjallëria, aktivizmi qytetar që rrallë kush e ka dhe aksionet që bëheshin në Smirë. Zaten, promovimi i vlerave të Smirës dhe njerëzve të saj si dhe lidhja midis tyre, ishin ndër qëllimet kryesore të faqes fshatismire.com. Faqja shërbeu edhe si thirrje për respektimin e ligjit dhe rendit, barazisë gjniore dhe mbrojtjen e ambientit, por edhe si lidhje për aksione humanitare për të ndihmuar familjet në nevojë.

Për gjashtë vite me radhë janë postuar mbi 5000 atikujt (shkrime, njoftime, lajme…) e fotografi, janë paraqitur ngjarje e ngjarje, shumica nga fshati, por edhe nga komuna e Vitisë dhe më pak nga Kosova. Për gjashtë vite me radhë kemi qenë afër bashkëvendasve tanë, kemi tentuar të bëjmë një lidhje midis Smirës, mërgimtarëve dhe smirasve të Shkupit. Kemi krijuar një trinom shpirtëror që ka funksionuar dhe është bërë akoma më i fortë.

Tani kur unë duhet të shkëputem nga angazhimi im në faqe, për shkak të obligimeve personale, dua t`ju them se kjo kohë ka qenë një pjesë e veçantë e jetës sime, sepse jam ndier mirë që kam pasur mundësi të bëj diçka për ju. Jam ndier mirë që kam shkruar kaq shumë për vlerat e Smirës, për atdhetarët, për projektet, sukseset, rezultatet, për punët e mira që janë bërë, për bukuritë natyrore që ka, për ngjarjet e zhvillimet, për donacionet, për shkollën, për bizneset, për diasporën, për smirakët në Shkup, Shqipëri e gjetiu dhe të e mbi të gjitha për njerëzit e mirë dhe të vlefshëm që ka Smira. Nuk jam zhgënjyer asnjëherë, nuk jam ndier keq, nuk jam dorëzuar, nuk jam penduar në asnjë moment që po humbi kohën time të çmuar për të mbajtur të informuar komunitetin tim dhe për të promovuar vlerat universale të shoqërisë si dhe për të treguar sa të mirë që jemi.

Ju falënderoj të gjithëve që më keni mbështetur, që i keni lexuar ato që kam shkruar dhe që e keni vlerësuar kontributin tim vullnetar për këto GJASHTË VITE pandërprerë. I falënderoj veçanërisht, dy bashkëpunëtorët e mi të mrekullueshëm, Fidanin dhe Zeqën për kreativitetin dhe punën e palodhshme dhe të pa përtesë që kanë bërë.

Ndryshe, iu kërkoj falje nëse nuk kam arritur t`ua shuaj ‘etjen’ për më shumë informata. Poashtu kërkoj ndjesë nëse dikush eventualisht (pa dashjen time) ka mundur të ndihet i prekur, i ofenduar apo i anashkaluar nga shkrimet e mia.

Faqes fshatismire.com i dëshiroj rrugëtim të mbarë-por mua sigurisht se do të më mungojë shumë.

Faleminderit 500 MIJË herë për ato 500 MIJË shikimet që ia keni bërë faqes sonë për këto gjashtë vite!

Ju dua të gjithëve!

Me respekt,
I JUAJI, Tefik Salihu

Leave A Reply